8.5 C
Zurich
Thursday, December 11, 2025
spot_img
spot_img

Klodian Braho zgjidhet kreu i ri i SPAK, merr 7 vota nga KLP

Duhet ti lexosh

Klodian Braho është zgjedhur sot drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai do të marrë detyrën pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.

Braho u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një procesi votimi të hapur dhe nominal, ku mori 7 vota. Ndërkohë, kandidati Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori 1 votë ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Me 18 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë dhe si pjesë e SPAK që prej krijimit, Braho theksoi gjatë prezantimit para KLP-së arritjet e tij, mes tyre edhe konfiskimin e 18.4 milionë eurove të krimit në vitin 2023, një shumë sa dyfishi i buxhetit vjetor të institucionit.

Në vizionin e tij, Braho tha se synon konsolidimin e SPAK, forcimin e rolit të BKH-së dhe ngritjen e një sektori të posaçëm për analizën e informacionit. Ai u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit janë prioritetet kryesore të kandidimit të tij. Braho theksoi rëndësinë e mbështetjes së pavarësisë së prokurorëve.

Të katër kandidatët prezantuan sot platformat e tyre përpara anëtarëve të KLP-së, ndërsa të pranishëm në seancë ishin edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i BE‑së Silvio Gonzato dhe ambasadori britanik Nicholas Abbott. Braho do të zëvendësojë në këtë detyrë Altin Dumanin, duke u bërë drejtuesi i tretë i Prokurorisë së Posaçme. I pari që drejtoi SPAK-un ishte Arben Kraja, i pasuar më pas nga Altin Dumani. Tashmë, Klodian Braho do të marrë drejtimin e institucionit për një mandat 3‑vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Karriera e Klodian Brahos

Ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës me rezultate të shkëlqyera.

Ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në Prokurorinë e Vlorës, ku ishte pjesë e njësisë Task Forcë dhe për dy vite drejtues i saj, si dhe zëvendësdrejtues i prokurorisë.

Nga viti 2016 deri në 2019 ka punuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e njësisë për hetimin e korrupsionit dhe pasurisë, me kompetencë mbi zyrtarë të lartë shtetërorë, të zgjedhur vendorë dhe funksionarë të drejtësisë.

Prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture. Që nga prilli 2023 mban detyrën e Drejtuesit të Seksionit Kundër Korrupsionit.

Klodian Braho: Hetime ndaj zyrtarëve të lartë dhe konfiskim prej 18.4 mln euro, sa dyfishi i buxhetit të institucionit

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, këtë të enjte më 11 dhjetor, prokurori Klodian Braho, prezantoi platformën e tij, duke shpalosur vizionin për drejtimin e institucionit dhe duke evidentuar disa nga hetimet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Me një eksperiencë 18-vjeçare në sistemin e drejtësisë, Braho e nisi fjalën e tij duke falënderuar për mundësinë për të paraqitur idetë mbi konsolidimin e mëtejshëm të SPAK.

Ai kujtoi se rrugëtimi i tij ka nisur nga Shkolla e Magjistraturës, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera, dhe se prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture.

Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë dhe kam ushtruar funksionin e prokurorit në disa zyra të ndryshme të vendit. Prej ditës së parë të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme jam pjesë e kësaj strukture. Në çështjet penale që kam hetuar, kam kërkuar konfiskimin e pasurive që shkojnë në miliona euro. Vetëm në vitin 2023 u konfiskuan 18.4 milionë euro që i përkisnin një organizate kriminale, kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në 2023. Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme. Askush nuk do të jetë mbi ligjin,” deklaroi Braho.

Ai solli në vëmendje rastin e konfiskimit të 18.4 milionë eurove në vitin 2023, duke e cilësuar si një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij dhe duke theksuar se kjo shumë ishte sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë kohë.

Braho vuri një theks të veçantë tek roli i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke e konsideruar atë si një strukturë kyçe për efikasitetin e SPAK.


Elvin Gokaj: 4 shtylla kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Prokurori i Posaçëm, Elvin Gokaj, është i treti kandidat që ka paraqitur platformën e tij për drejtimin e SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë këtë të enjte, më 11 dhjetor.

Me një karrierë 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë, Gokaj tha se kandidimi i tij nuk është thjesht për një detyrë, por për marrjen e një përgjegjësie të madhe.

Platforma ime bazohet në një përvojë profesionale 26-vjeçare në fushën e drejtësisë. Qëndroj para jush jo për një detyrë, por për të marrë një përgjegjësi. Veprimtaria ime do të bazohet në luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme, ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe forcimin e besimit të publikut,” u shpreh Gokaj.

Ai theksoi se drejtimi i ri i SPAK nuk nis nga zero, por mbështetet mbi themelet e konsoliduara nga drejtuesit e mëparshëm.

Mandati i drejtuesit të ri mbështetet në një themel të konsoliduar nga drejtuesit e mëparshëm. Karriera ime ka nisur nga niveli bazë i hetimit, si oficer i Policisë Gjyqësore, më pas si prokuror dhe drejtues në shkallë të parë e në apel, dhe tani në Prokurorinë e Posaçme. Kjo përvojë e larmishme më ka pajisur me aftësi organizative, hetimore dhe menaxheriale për të drejtuar me integritet dhe efikasitet këtë institucion,” tha ai.

Gokaj nënvizoi se SPAK duhet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u bazuar vetëm në prova dhe masa proporcionale me objektin e hetimit.

Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publikë dhe çështje me rrezikshmëri të lartë. Ngritjen e akuzës e kam bazuar vetëm në prova dhe duke kërkuar masa në proporcionalitet me objektin e hetimit. Bashkëpunimi im do të bazohet në grup,” shtoi ai.

Duke folur për pikat e tij të forta, Gokaj renditi “punën, integritetin dhe mirënjohjen ndaj njerëzve që derdhin djersë për këtë vend”, ndërsa pranoi se dobësia e tij kryesore është njohja e kufizuar me programet kompjuterike.

Megjithatë, ai u shpreh se kjo sfidë do të kapërcehet me ndihmën e ekspertëve teknikë brenda institucionit:

Drejtimi im do jetë vetvetja. Kam qenë mbi 10 vite drejtues në shumë rrethe të Shqipërisë. Unë do marr praktikat më të mira të kolegëve të mi paraardhës.  Praktikat më të mira është puna në grup. Pavarësisht se struktura e posaçme ka 20 prokurorë, e vetmja gjë që mund të bëjë drejtuesi është që t’u rri në mbështetje prokurorëve. Nuk do ushtroj asnjë ndikim te prokurorët.

Pikat e mia të forta: puna, integriteti, mirënjohja ndaj njerëzve që punojnë dhe që derdhin djersën për këtë vend. Pika e dobët janë programet kompjuterike, të cilat kanë avancuar kohët e fundit, por me ndihmën e ekspertëve brenda strukturës do ta kalojmë këtë fazë”, tha ai.


Doloreza Musabelliu: Gati të ofroj drejtim me integritet, vizion dhe rezultate konkrete

Kandidatja për drejtimin e SPAK, Doloreza Musabelliu, në prezantimin e saj, para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë theksoi rëndësinë e institucionit dhe angazhimin personal për ta udhëhequr me profesionalizëm dhe vendosmëri.

Ajo nënvizoi se përvoja e saj profesionale, “përbën një garanci të fortë për një drejtim të suksesshëm të Prokurorisë së Posaçme”.

“SPAK përfaqëson një hallkë thelbësore në sistemin e drejtësisë. Motivimi im për të kandiduar buron nga dëshira dhe ndjenja e përgjegjësisë për të kontribuar me integritet, vizion dhe vendosmëri në drejtimin e këtij institucioni. Ky moment kërkon një drejtim që bashkon qartësinë e vizionit me integritetin e pakompromis. Me këtë kandidim synoj të ofroj një drejtim të paanshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete. Përvoja ime 21-vjeçare si prokurore më vendos në një pozitë optimale për të marrë drejtimin e SPAK. Drejtimi i këtij institucioni kërkon më shumë se vizion; kërkon njohje në rrënjë të sistemit,” deklaroi Musabelliu.

Gjatë prezantimit, kandidatja ndaloi te disa nga çështjet kryesore që ka trajtuar ndër vite. Ajo përmendi hetimet në fushën e trafikimit të narkotikëve, të zhvilluara me bashkëpunim ndërkombëtar.

“Hetimet në fushën e trafikimit të narkotikëve kanë çuar në dërgimin për gjykim të të gjithë personave të përfshirë. Këto çështje ndërkombëtare më kanë forcuar aftësitë për të menaxhuar raste komplekse,” tha ajo, duke shtuar se “lufta ndaj narkotikëve mbetet një prioritet global“.

Musabelliu vuri në dukje se ka trajtuar një numër të konsiderueshëm çështjesh të vrasjeve, si në Prokurorinë për Krime të Rënda ashtu edhe në SPAK, për motive të ndryshme, duke theksuar se ky është një sektor ku ajo mbetet e vendosur të vazhdojë punën.

Të pranishëm në KLP, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadori britanik Nicholas Abbot dhe e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy Vanhorn.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK do të bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, aftësitë drejtuese, vizionin dhe planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, si dhe imazhin publik të karrierës së kandidatit.

Votimi do të jetë i hapur dhe nominal, dhe kandidati që merr më shumë vota do të emërohet në krye të SPAK. Në rast të një barazimi votash, Këshilli kryen një votim të dytë mes kandidatëve të barabartë.

Zgjedhja e kreut të ri, vjen pas përfundimit më 18 dhjetor të mandatit 3-vjeçar të Altin Dumanit. Ky i fundit u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme më 18 dhjetor të 2022-shit, dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme pas Arben Krajës.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK konsiderohet një moment vendimtar për vazhdimësinë e reformës në drejtësi dhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.


Prokurori Xholi: Me rëndësi, pavarësia e institucionit, nevojë për hetime të shpejta e të thella kundër krimit
Adnan Xholi, prokuror në detyrë që prej vitit 2004 dhe kandidati i parë që nisi prezantimin e platformës së tij para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), shpalosi vizionin dhe planin për drejtimin e SPAK-ut.

Gjatë fjalës së tij, Xholi nënvizoi nevojën për hetime të thelluara dhe në kohë të shpejtë, goditjen e kriminalitetit përmes hetimeve penale dhe pasurore, sekuestrimin e aseteve të krimit, çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë, si dhe promovimin e barazisë para ligjit.

Ai shtoi se drejtuesi i SPAK-ut duhet të garantojë kushte të favorshme pune dhe të menaxhojë në mënyrë efektive burimet në dispozicion, duke mbajtur ekuilibrin mes interesit publik dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

“Ka ardhur koha që të vijohet me hetime të tejshme cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin. Prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është meanxher i cili ka detyrimin ligjor dhe moral të sigurojë kushte e nevojshme të punës të orientojë burimet në dispozicion. roli i drejtuesit ka në fokus arritjen e rezultateve sa më të suksesshme. Kjo garanci duhet që të ndërtohet mbi ekuilibrin ndërmjet interesit publik në një krah, dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Po aq e rëndësishme është dhe mbrojtja, integriteti dhe pavarësia e institucionit, mbrojta nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve dhe prokurorëve.

Përparësia ime do të jetë mbrojtja e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe mbrojtja e integritetit e pavarësisë së institucionit nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve,” deklaroi Xholi.

Xholi theksoi më tej se gjatë punës së tij si prokuror ka udhëhequr një gamë të gjerë çështjesh kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i klasifikuar ato si hetime të rëndësishme.

Në këtë kuadër, ai nënvizoi nevojën për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe promovimit të barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët.

“Kam udhëhequr disa hetime për një gamë të gjerë çështjesh të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kam përfaqësuar prokurorinë në të gjitha shkallët e gjykimit dhe përpara se të bëhem pjesë e SPAK. Kam udhëhequr hetime të rëndësishme. Jam drejtues i 5 skuadrave të përbashkëta hetimore.

Jam prokuror që kam pasur hetime paralele me shumicat e vendeve në rang global, përsa i përket çështjeve të lëndëve narkotike, të armëve, të pastrimit të parave, të qenieve njerëzore. Kam bashkëpunuar gjithashtu me homologët e huaj për të goditur grupet kriminale në shtrirje të gjerë.

Ka ardhur koha që të vijohet me hetime në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetime penale dhe pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe promovimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët”, shtoi Xholi.

Ky i fundit theksoi se përvoja dhe aftësitë profesionale e menaxheriale e bëjnë atë një kandidat të denjë për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Ai u ndal veçanërisht tek rëndësia e mbrojtjes së prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe tek konsolidimi i punës së SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Xholit, institucioni ndodhet në një fazë të rëndësishme konsolidimi.

E ndjeva privilegjin të aplikoja sepse kam bindjen se plotësoj kriteret formale dhe kam aftësitë e duhura për të drejtuar një nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi. SPAK është në proces konsolidimi dhe implementimi të strategjive që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”, tha ai.

Ai shprehu vlerësim maksimal për trupën e prokurorëve të SPAK-ut, duke i konsideruar si një “familje profesionale” dhe duke theksuar se çdo prokuror i këtij institucioni është një kandidat potencial për drejtimin e tij, transmeton rtsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme