–
Përfaqësuesit e KFOR-it zviceran (LMT) kanë shprehur interesim të veçantë për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit, gjatë një takimi të zhvilluar sot me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Në këtë takim, kryeprokurori Kryeziu falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it zviceran për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit, duke vlerësuar rolin e tyre në përmbushjen e misionit në Kosovë.
Gjatë takimit, Kryeziu i njoftoi përfaqësuesit e KFOR-it me strukturën dhe funksionimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, sfidat dhe prioritetet aktuale, si dhe objektivat e ardhshme në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese.
Përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën interes të veçantë për sfidat me të cilat përballet prokuroria, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit me institucionet e tjera të drejtësisë, rritjen e transparencës, përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet e prokurorisë.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte trajtimi i rasteve të korrupsionit, përfshirë rastet kur në këto vepra penale dyshohet për përfshirjen e zyrtarëve policorë, veprat penale ndërkufitare, sfidat në ndjekjen e tyre, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë drejtim.
Po ashtu, u diskutua edhe për kapacitetet logjistike dhe pajisjet teknike të nevojshme për ndërmarrjen e veprimeve hetimore efektive.
Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prizren, me synim forcimin e sundimit të ligjit, ruajtjen e stabilitetit dhe kontribuimin e mëtejshëm në sigurimin e paqes në rajon, transmeton rtk.




