
Nga Dashnim HEBIBI
Duke njohur veten më thellë, kam kuptuar se mbi çdo gjë qëndron karakteri – ai thesar i çmuar që nuk blihet me para, nuk mësohet nëpër shkolla dhe nuk maskohet pas asnjë petku. Karakteri është trashëgimi shpirtërore nga prindërit tanë, rrënjë të forta që na formësojnë dhe që nuk mund të zëvendësohen me asgjë tjetër.
Në këtë udhëtim reflektimi, kam kuptuar se ndonjëherë u kam dhënë vlera dhe epitete njerëzve që nuk i meritonin. Për këtë ndjej nevojën të kërkoj falje: syve të mi që panë ndryshe nga e vërteta, mendjes që gjykoi me nxitim, duarve që u shtrinë atje ku s’duhej, zemrës që besoi më shumë seç duhej dhe shpirtit që u lëndua në heshtje.
Ka njerëz që kur u jep një gisht, përpiqen të të marrin gjithë dorën; kur u jep mirësi, e shohin si dobësi. Por një gjë është e sigurt: mund të kemi dritë pafund – në telefona, llamba dhe çdo cep të errët – por asnjë dritë artificiale nuk e zëvendëson ndriçimin e diellit. Shkëlqimi i vërtetë nuk imitohet.
Prandaj, kujdes nga mjeshtrit e maskave.
Nga ata që për pushtet, para dhe përfitime janë të gatshëm të shesin gjithçka, madje edhe dinjitetin e tyre. Mos u mashtroni nga buzëqeshjet e rreme, sepse shpesh pas tyre fshihet interesi, jo dashuria e pastër dhe e sinqertë.
Më mirë pak, por e vërtetë – sesa shumë, por e rreme. Drita e karakterit të pastër nuk shuhet kurrë, sepse ajo buron nga shpirti, jo nga fasada. Zoti i bekoftë zemërbardhët, kudo që janë, ata që ndriçojnë rrugën me veprat e tyre.
Po harrojmë gjithnjë e më shumë një të vërtetë të thjeshtë: një ditë, secili prej nesh do të largohet nga kjo botë, në një kohë që askush nuk e di. Nuk do të marrim me vete as karrierën, as pasurinë, as titujt. Ajo që do të mbetet pas nesh janë vetëm veprat tona – të mira apo të këqija.
Mos e harxhoni kohën për gjithkënd.
Më mirë pak shokë, por të vërtetë dhe besnikë, sesa shumë e të pabesë. Karakterin nuk mund ta ndryshoj, sepse e kam të rrënjosur në shpirt. Por një gjë do të mundohem ta bëj: të mos ia jap dritën time kujtdo. Jo çdo njeri e meriton ndriçimin që vjen nga një zemër e pastër.
Luani nuk garon me dhelpra.
Uroj një pasdite të qetë dhe të ndritshme për të gjithë miqtë e vërtetë, kudo që ndodheni.




