5.9 C
Zurich
Friday, December 12, 2025
spot_img
spot_img

Kapitali Kombëtar që Ende Nuk e Dimë të Vlerësojmë

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Diaspora shqiptare, prej dekadash forca më e qëndrueshme dhe më e sinqertë e kombit, vazhdon të mbetet në periferi të vëmendjes së institucioneve tona shtetërore. Në fushata zgjedhore, në podiume e debate, politika shpesh e mbush gojën me fraza patriotike, vargje të “forta” dhe premtime të larta morale. Por poezia e fjalëve nuk e zëvendëson dot domosdoshmërinë e veprimit konkret. Patriotizmi nuk matet me deklarime, por me politika, me strategji dhe me angazhim të vazhdueshëm.

Sot, ndërsa gjenerata e katërt e diasporës tashmë ka ardhur në jetë dhe po rritet duke folur shqip, duke kënduar për flamurin, gjuhën dhe dëshmorët, ne nuk kemi të drejtë t’i lëmë këto breza vetëm në përkushtimin e prindërve të tyre. Ata meritojnë mbështetje reale, institucionale, të organizuar – jo fjalë të prodhuara nga llafazanët e kohës.

Nevojitet një riorganizim i thellë dhe i qëndrueshëm i diasporës shqiptare, sepse sot kemi dy shtete shqiptare, dy qendra politike, por vetëm një komb dhe një të ardhme. Këto dy shtete duhet të veprojnë me vetëdije historike e vizion strategjik, duke e parë diasporën si pjesë organike të zhvillimit kombëtar, si investim afatgjatë në identitet, kulturë, ekonomi dhe diplomaci.

E ardhmja e gjeneratave të reja në diasporë nuk mund të lihet në dorë të rastësisë. Integrimi i tyre në shoqëritë ku jetojnë nuk shihet si pengesë për lidhjen me rrënjët, por urë që i pasuron ata dhe kombin. Për këtë duhet politika të mençura, të bashkërenduara, që e kuptojnë se forca e një kombi matet edhe nga mënyra se si i ruan dhe i kultivon fëmijët e vet kudo në botë.

Mundemi, dhe do t’ia dalim. Por vetëm bashkë – sepse bashkimi nuk është slogan, por një projekt filozofik dhe një nevojë historike.

Jepni hapësirë meritokracisë! Deri kur do të shiten postet?

Pse duhet të vrapojmë pas trumbetuesve?

Le ta shohim të ardhmen e kombit tek rinia dhe ta falënderojmë, në këtë rast Zvicrën dhe popullin e saj, për mbështetjen e pastër që na kanë dhënë. Ndërkohë që ne po ndahemi e përçahemi, sikur po na hyn përçarja si kancer. Pse po e lejojmë këtë?

Diaspora është ambasadori më i ndershëm dhe më i palodhur i kombit tonë.

Zoti e bekoftë diasporën shqiptare – zemrën që rreh larg, por gjithmonë për Shqipërinë dhe tokat e saj gjithandej.

Diaspora shqiptare nuk është vetëm një aset moral, por një kapital kombëtar që meriton strategji, investim dhe respekt institucional. Nëse duam një të ardhme më të bashkuar, më të zhvilluar dhe më të drejtë për brezat që rriten në çdo cep të botës, atëherë duhet ta shohim diasporën jo si mjet elektoral, por si partner të pandashëm në projektin historik të forcimit të kombit.

Vetëm përmes meritokracisë, bashkërendimit dhe vizionit afatgjatë mund të ndërtojmë një urë të qëndrueshme mes rrënjëve dhe botës moderne ku jetojnë shqiptarët. E ardhmja është e mundshme – por vetëm nëse veprojmë së bashku.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme