CRANS-MONTANA, ZVICËR – Një nga tragjeditë më të rënda në historinë e fundit të Zvicrës ka goditur vendin në natën e Vitit të Ri. Të paktën 40 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u plagosën rëndë pas një zjarri shkatërrues që shpërtheu në barin “Le Constellation” në Crans-Montana, në kantonin Valais. Ngjarja ndodhi në orët e para të 1 janarit 2026, gjatë një feste të mbushur me të rinj dhe pushues vendas e të huaj, transmeton 20min.ch. Sipas autoriteteve zvicerane, shumë nga viktimat ishin adoleshentë. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeçe. Deri më tani, 24 trupa janë identifikuar zyrtarisht dhe u janë dorëzuar familjeve, ndërsa procesi i identifikimit vazhdon për viktimat e tjera. Mes të vdekurve ka shtetas zviceranë, italianë, francezë, rumunë, turq dhe persona me shtetësi të dyfishtë.
Të plagosurit dërgohen jashtë vendit
Për shkak të numrit shumë të madh të pacientëve me djegie të rënda, autoritetet federale njoftuan se kapacitetet spitalore të Zvicrës nuk ishin të mjaftueshme për trajtim afatgjatë optimal. Si pasojë, 35 pacientë u transferuan në klinika të specializuara në Evropë: 7 në Belgjikë, 7 në Gjermani, 15 në Francë dhe 6 në Itali. Transportet u kryen me avionë dhe helikopterë ambulancë, me mbështetjen e ekipeve mjekësore nga disa shtete evropiane dhe Rega zvicerane. Transferimet u bënë me pëlqimin e familjarëve dhe duke marrë parasysh gjuhën dhe lidhjet familjare të pacientëve.
Hetime për kontrollet e sigurisë
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në pyetjen nëse autoritetet komunale kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore për kontrollin e sigurisë nga zjarri. Sipas ligjit zviceran, ndërtesat publike duhet të kontrollohen të paktën një herë në vit. Pronari i lokalit, Jacques Moretti, deklaroi se në dhjetë vite lokali ishte kontrolluar vetëm tri herë. Kryetari i komunës së Crans-Montana-s, Nicolas Féraud, i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se “nuk ka pasur një qëndrim të butë ndaj kontrolleve”. Dokumentet përkatëse tashmë i janë dorëzuar prokurorisë.
Tensione me gazetarët
Situata në terren mbetet e tensionuar. Sipas raportimeve të mediave, disa gazetarë janë penguar dhe fyer nga persona të lidhur me stafin e lokalit gjatë përpjekjeve për të raportuar. Një reporter u shty dhe u ofendua rëndë, ndërsa iu ndalua xhirimi i pamjeve pranë një restoranti tjetër në pronësi të të njëjtit operator.
Ndihmë ndërkombëtare dhe homazhe
Në Crans-Montana ka mbërritur edhe organizata izraelite Zaka, e specializuar në identifikimin e viktimave, për të ndihmuar autoritetet lokale, veçanërisht pasi mes viktimave raportohet se ka edhe persona me origjinë hebraike. Të dielën u mbajt një meshë përkujtimore në kapelën Saint-Cristophe, ku morën pjesë qindra qytetarë. Pas ceremonisë, një marshim i heshtur u zhvillua në qendër të qytetit në nderim të viktimave. Tragjedia e Crans-Montana-s ka tronditur mbarë Zvicrën dhe Evropën, duke ngritur pyetje të rënda mbi sigurinë, përgjegjësinë institucionale dhe mbrojtjen e jetës së të rinjve në ambiente publike. Hetimet vazhdojnë, ndërsa vendi është zhytur në zi kombëtare, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch.




