Normat e interesit janë rritur, por qytetarët dhe bizneset vazhdojnë të marrin kredi. Përfaqësuesit e bizneseve paralajmërojnë rritje të varfërisë dhe shtim të fenomenit të fajdesë. Pavarësisht rritjes së normave të interesit, kërkesa për kredi në Kosovë vazhdon të mbetet e lartë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave të Kosovës, gjatë vitit 2025 në vend janë lëshuar kredi të reja në vlerë prej 2.684 milionë euro.
Nga kjo shoqatë kanë bërë të ditur se trendi i rritjes së kreditimit pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026, duke reflektuar kërkesën e vazhdueshme për financim nga qytetarët dhe bizneset, si dhe zhvillimin e sektorit bankar në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, mesatarja e normës së interesit në fund të vitit 2025 për kreditë familjare ka arritur në 6.37 për qind, ndërsa për kreditë e bizneseve në 7.06 për qind.
Megjithatë, përfaqësuesit e bizneseve vlerësojnë se këto norma të interesit janë të larta dhe po krijojnë vështirësi për zhvillimin ekonomik. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se bizneset vendore përpiqen të mbeten aktive dhe konkurruese në treg, por për këtë u nevojitet mbështetje financiare. Sipas tij, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare janë burimi kryesor i financimit, por normat e larta të interesit dhe kriteret e ashpra për kredi po e vështirësojnë qasjen në financa.
“Kjo e rëndon situatën e qytetarëve dhe bizneseve. Kohët e fundit është aktivizuar edhe fenomeni i fajdesë, pasi kriteret për të marrë kredi janë ashpërsuar”, ka deklaruar Shahini. Edhe nga Instituti Riinvest vlerësojnë se rritja e normave të interesit, e kombinuar me inflacionin, po ndikon negativisht në gjendjen ekonomike të qytetarëve. Sipas Saxhide Mustafa nga ky institut, qytetarët përballë rritjes së kostos së jetesës dhe mungesës së parave të gatshme po orientohen gjithnjë e më shumë drejt kredive dhe kartelave kreditore, gjë që në afat të gjatë mund të thellojë varfërinë.
“Të ndikuar nga inflacioni dhe mungesa e likuiditetit, qytetarët janë të prirë të kërkojnë kredi apo të përdorin kartela kreditore, por interesat e larta i bëjnë këto borxhe edhe më të rënda për buxhetet familjare”, ka theksuar Mustafa.
Sipas të dhënave të fundit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, nga gjithsej 6.666 milionë euro kredi të lëshuara nga sektori bankar, 57.8 për qind janë kredi për biznese, ndërsa 41.9 për qind janë kredi familjare.
Ekspertët vlerësojnë se, nëse normat e interesit vazhdojnë të mbeten të larta, rreziku për rritjen e borxheve dhe varfërimin e qytetarëve mund të shtohet edhe më shumë në vitet e ardhshme, transmeton rtk.




