Përgatiti Dashnim HEBIBI
Reportazhi i formatit të zgjeruar, tashmë i vënë në dispozicion të lexuesit në format libri, është një dimension i ri në krijimtarinë publicistike të Dashnim Hebibit. Ai, në këtë vepër përshkruese, na paraqitet si bashkautor me z. Florim Useini, një bashkatdhetar i mërguar dhe kokë e këmbë i përkushtuar rreth përforcimit të lidhjeve midis mërgatës shqiptare me trojet autoktone, si vende të origjinës së tyre.
Qasja krejtësisht alternative e hartimit të përmbajtjes së këtij itinerari të ngjyrosur me nuancat historike të secilit destinacion të përkohshëm, të vizituar kalimthi gjatë rrugës që i fton udhëtarët në oborrin e shtëpisë së gjyshit plisbardhë, të lë shijen e një dokumentari televiziv, të realizuar nga dy “mastershefë” kuzhine, të cilët mbledhin receta gatimesh nga çdo regjion, qytezë e fshat që i hap dyert e mikpritjes.
Për dallim prej tyre, bashkautorët e këtij libri të veçantë për nga karakteri, motivi e përmbajtja, ndalojnë nëpër vende që përshkojnë me “makinën e tyre të memories”, jo për t’ia shtuar listës së tyre individuale të vendeve të vizituara, por për të zbuluar elementin shqiptar (ilir) brenda secilës ndalesë, që do të duhej t’u shërbente shqiptarëve të mërguar si arsye shtesë për ta përdorur këtë itinerar, jo si alternativë të re, por si një “Via Egnatia” moderne të diasporës shqiptare, e cila anashkalon gropat e Serbisë, të shoqëruara me tarifa të majme rrugore dhe keqtrajtim psikologjik, duke i dhënë përparësi një territori, i cili, përveçse shumë piktoresk, në shikim historik ishte i tëri ilir.

Lexuesi, duke përshkuar faqet e kapitullit të parë, i cili shpalos veçoritë dalluese të secilës ndalesë, fillon ta ndiejë veten si shikues të një reportazhi filmik dokumentar, të cilin, herë e shoqëron lindja e diellit diku pranë Detit Adriatik, e herë e përkëdhel perëndimi romantik i tij, teksa automjeti i autorëve përshkues të kësaj gjeografie i afrohet Detit Jon, kaltërsinë e kristaltë të të cilit nuk e zbeh dot as muzgu.
Autorët, duke i dhënë vetes një mision të pazakontë, përmes përmendjes e përshkrimit të vendeve të përshkuara gjatë këtij udhëtimi pelegrinazh, i flasin lexuesit për historinë e secilës deriçkë ku kanë trokitur. Ata shpalosin të veçantat e tyre si veçori dalluese, por edhe ofrojnë arsye shtesë pse duhet të ndalojë aty çdo i mërguar shqiptar rrugës kthyese për atdhe.
Brenda përmbajtjes së këtij libri, përmes vizitave në monumentet historike e lapidarët e ngritur për heronjtë nga një popull mirënjohës, lexuesi e rijeton rrugëtimin e autorëve, duke sjellë në kujtesë historinë e dhimbshme e krenare të popullit shqiptar.
Për t’i dhënë një këndvështrim të kritikës pozitive këtij udhëtimi të veçantë, autorët i kanë dhënë hapësirë vlerësimit të miqve e ndjekësve të tyre, të cilët, përmes një vlerësimi individual e të pavarur, e kanë cilësuar këtë udhëtim si shumë frymëzues.
Përmbajtjen relativisht të shkurtër të këtij reportazhi unik e përmbyllin komentet e ndjekësve të autorëve përmes rrjeteve sociale, të cilat, brenda faqeve të librit janë pasqyruar të paredaktuara, kështu e vlerëson librin, z.Jeton Arifi, redaktor i librit i cili e redaktoi me shumë finesë.
Ky libër dhe befasi të tjera do të ndodhin më 17 janar, të shtunë. Mbrëmja e veçantë kulturore do të mbahet në ambientet Alte Mühle, dhe do të fillojë në ora 19:00 me apero, ndërsa programi zyrtar nga ora 19:30. Në qendër të vëmendjes do të jetë promovimi i librit më të ri “Udhëtim drejt rrënjëve”, si dhe një program nderimi dhe reflektimi kulturor.
Ky manifestim po shndërrohet tashmë në një ngjarje tradicionale kulturore, e cila organizohet posaçërisht në kuadër të Flakës së Janarit, një simbol i qëndresës, sakrificës dhe kujtesës kombëtare shqiptare. Flaka e Janarit përkujton figurat dhe veprën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, duke u shndërruar ndër vite në një thirrje për reflektim, unitet dhe vazhdimësi kulturore, veçanërisht në diasporë.
Ngjarja do të shoqërohet edhe me një moment solemn simbolik surprizë, si dhe me një pjesë të përzgjedhur kulturo-artistike, të realizuar me kujdes dhe përkushtim. Me pjesëmarrjen e tyre do ta nderojnë këtë mbrëmje personalitete të njohura të jetës kulturore, publike dhe shoqërore, ndër ta: Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Bej Vlorës, Arsim Mulliqaj, publicist i mirënjohur, Mehmet Ballazhi, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, Shaban Tërstena, legjendë e sportit të mundjes, autorët e librave, artistë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në diasporë.
Librat, me nga 400 dhe 600 faqe, janë botuar nga shtëpia botuese “Libri im” nga Peja, me editor Berat Thaçi dhe redaktor teknik Xhavit Thaçi. Në kuadër të kësaj mbrëmjeje, Instituti Helvetik Shkencor i Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih, do të ndajë edhe çmimin “Ikona e Diasporës”, një vlerësim simbolik për kontributin e veçantë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe kombëtare shqiptare në diasporë, transmeton helveticALforum.ch
Adresa:
Alte Mühle, Mühleweg 23, 4900 Langenthal, Zvicër
Info: 078 240 50 00
Mirë se vini!




