Ish-zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropian dhe rektorja e Kolegjit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj akademik pasi Zyra e Prokurorit Evropian hapi një hetim ndaj saj.
“Duke iu përmbajtur rigorozitetit dhe drejtësisë me të cilat kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, kam vendosur sot të tërhiqem nga pozita e rektores”, deklaroi ajo pas mbledhjes së së enjtes së Bordit Ekzekutiv të Kolegjit.
Dorëheqja e saj vjen vetëm një ditë pasi edhe një tjetër zyrtar i lartë i BE-së, Stefano Sannino, njoftoi se do të largohej në fund të dhjetorit. Edhe ai është nën hetim. Sannino drejton Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin. Hetimi i prokurorit të BE-së lidhet me një kontratë njëvjeçare të dhënë Kolegjit Evropian si pjesë e një tenderi për krijimin e një akademie të re, e cila do të përgatiste diplomatë të rinj kombëtarë dhe nëpunës civilë të BE-së për pozicione të ardhshme përfaqësuese jashtë Unionit, raporton politico.
Prokurorët dyshojnë se, gjatë viteve 2021–2022, Kolegji dhe shërbimi diplomatik i BE-së mund të kenë bashkëpunuar në mënyrë të parregullt për të kanalizuar fondet e BE-së drejt projektit, duke përfshirë edhe informimin paraprak të Kolegjit për tenderin, i cili zyrtarisht është i hapur për universitetet në mbarë Evropën.
Ajo ka shërbyer si rektore e Kolegjit Evropian që nga viti 2020, duke mbikëqyrur kampuset në Brugge, Varshavë dhe Tiranë. Në vitin 2022 ajo mori edhe drejtimin e Akademisë Diplomatike, një rol që u bë i përhershëm në vitin 2024, me financim vjetor prej 1.7 milion eurosh nga qeveritë e BE-së. Mogherini ka qenë gjithashtu edhe ndërmjetësuese në dialogun Kosovë–Serbi, transmeton telegrafi.




