1.2 C
Zurich
Friday, November 21, 2025
spot_img
spot_img

Java Kulturore Kombëtare/ Deri në 5 Dhjetor, Shqipëria bëhet qendra e krijimtarisë dhe dialogut kulturor 

Duhet ti lexosh

Nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor në Shqipëri do të mbahet Java Kulturore Kombëtare, e cila përmbyll sezonin e katër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, ku këtë vit kanë marrë pjesë 21 shtete. Gjatë këtyre ditëve, qytete të ndryshme do të kthehen në qendra të gjalla krijimtarie, duke mikpritur shfaqje teatrore, koncerte, ekspozita, forume, performanca dhe iniciativa që synojnë të nxjerrin në pah energjinë e skenës sonë kulturore dhe lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo javë e cila mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nis me edicionin e parë të projektit Next Generation, më 21–22 nëntor në Bajram Curri në Tropojë, ku qyteti kthehet në një skenë të gjallë arti, krijimtarie dhe diplomacie kulturore. Next Generation synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët dhe të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova, duke e vendosur artin si mjet dialogu, ndërsa kultura merr forma të reja dhe zëri i brezit të ri tejkalon kufijtë politikë e gjeografikë. Programi dyditor sjell forume, performanca, punëtori, ekspozita dhe aktivitete interaktive nga fusha e kinematografisë, muzikës, artit vizual, food design dhe trashëgimisë kulturore, me emra si Oda Haliti dhe Shpat Deda.

Në vijim, më 21 deri më 23 nëntor, në Teatrin Metropol në Tiranë, ora 19:00, jepet shfaqja “Komisar Daltoniko në Teatër”, një vepër në nder të Naun Shundit, me tekst të Giuseppe Della Misericordia dhe interpretim të aktorit Bujar Asqeriu. Po më 21 nëntor, ora 17:00, në Bibliotekën Kombëtare në qendrën “Sotir Kolea”, hapet ekspozita dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”, e cila përmbledh materiale historike, artikuj, libra, kujtime, fotografi, artefakte dhe një dokumentar kronologjik, si dhe parashikon nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes bibliotekave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërkohë nga data 21–28 nëntor, ora 11:00, në Kalanë e Gjirokastrës hapet ekspozita “Prezantimi i Restaurimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit dhe Gjilanit”, e cila shfaq ndërhyrjet dhe arritjet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës në restaurimin e monumenteve të këtyre zonave.

Paralelisht, më 22 nëntor, ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet koncerti, “Zëri i Shpirtit Tim”, nën drejtimin e Sonila Babocit.

Më 26 nëntor, ora 17:30, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë shfaqet dokumentari “117” (1976), me regji të Besim Sahatçiut dhe fotografi të Afrim Spahiut, një vepër që paraqet jetën e një familjeje me 117 anëtarë në një kullë në Nivokaz. Po në këtë ditë do të fesyohet edhe 63 vjetori i Teatrit “Petro Marku”.

Më 27 nëntor, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor zhvillohet koncerti simfonik “Nëntori i dytë – Muzika e filmave shqiptar”, nën drejtimin e Gridi Krajës, me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së dhe Korin e TKOBAP. Biletat mund të merren pranë biletarisë së TKOBAP.

Nga 27 deri më 30 nëntor mbahet edicioni i dytë i Tirana Art Weekend, me pjesëmarrjen e artistëve dhe kolektiveve që vazhdojnë të formësojnë skenën e artit bashkëkohor shqiptar.

Më 28 nëntor, Teatri “Petro Marko” në Vlorë sjell shfaqjen “Shqipëri i nëna ime”, në një program me këngë dhe valle popullore për nder të Festës së Pavarësisë. Po atë ditë, në sheshin “Tre Rracat”, ora 11:00, mbahet koncerti “Rinia në zemër të Vlorës”, me muzikë patriotike, valle tradicionale, polifoni, aktivitete rinore dhe konkurse artistike nga shkollat profesionale, ndërsa në orën 16:00 Teatri “Petro Marko” pret një performancë festive nga Cirku Kombëtar. Aktiviteti “Shqiptaria feston në Vlorë” është një tjetër aktivitet që do të zhvillohet më 28 nëntor tek sheshi para stadiumit.

Më 30 nëntor, ora 19:00, zhvillohet koncerti festiv që bashkon Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, në një program të përzgjedhur me këngë dhe valle tradicionale. Paralelisht Khrais Tërshana prezanton edicionin e parë të Crit Club në Tiranë, një format performancë-debate i krijuar nga artisti Cem A.

Më 1 dhjetor, ora 19:00, në TKOBAP jepet shfaqja “Martesa” me regji të Norbert Rakowskit dhe me aktorët Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi.

Më 2 dhjetor, ora 19:00, në Qendrën Kulturore të Korçës prezantohet fotodokumentari “Kosovarja” i artistit Afrim Hajrullahu – një cikël fotografish nga vitet ’90 që dokumenton rolin thelbësor të grave të Kosovës gjatë periudhës së dhunës dhe rezistencës, me foto të realizuara në Has, Pejë dhe Prishtinë.

Më 4 dhjetor, ora 14:00, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda”, promovohet libri i Rafet Rudit. Java Kulturore Kombëtare mbyllet më 5 dhjetor, ora 19:00, në hollin e TKOBAP, me koncertin e grupit vokal “Zanat”, me interpretimet e Elonë Sadikut (soprano), Elida Kryeziut (soprano), Diellza Sylejmanit (mezzosoprano), Albana Piperkut (alto) dhe Arstina Kelmendit (alto), të shoqëruara nga Pranvera Hoxha në piano dhe Patris Berisha në perkusion, transmeton oranews.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit