Nga Dashnim HEBIBI
Viti i ri nuk filloi me shpresë, por me një dhimbje të madhe, të thellë dhe të papërshkrueshme. Një dhimbje që vullkanizon shpirtin dhe i lë fjalët të varfra përballë peshës së humbjes. Ku t’i gjejmë fjalët, kur shpirti qan për ndarjen nga jeta të Akademik Nexhat Dacit – një personalitet i papërsëritshëm i kombit shqiptar?

Na u ngri fryma këtë janar, kur morëm lajmin e hidhur se u nda nga jeta Akademik Nexhat Daci Tërnocali, krenaria e Luginës së Preshevës, atdhetari i palëkundur, vizionari i qetë, profesori i urtë, shkencëtari i përmasave kombëtare, krahu i djathtë dhe bashkëudhëtari politik i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Nuk mundem dhe nuk dua ta fsheh dhimbjen personale. Para pak muajsh kishim dëshirë të madhe ta takonim, ta përqafonim. Më dukej se, me urtësinë e tij, po përqafoja gjyshin tim Faikin. Ishte i qetë, fjalëpak, i dashur.
Sytë e tij flisnin më shumë se fjalët:
“Sytë i kam në Tërnoc, atje ku fillon shqiptaria”, thoshte me një mall që vetëm shpirtrat e mëdhenj e njohin.
Nuk arritëm ta vizitonim bashkë me Dr. Dërgut Aliun dhe Rafet Ademin, dy vendasit e mi, jo sepse dera e tij ishte e mbyllur – ajo ishte gjithmonë e hapur – por sepse nuk deshëm t’ia rëndonim shpirtin në ditët e vështira shëndetësore. Na mbeti peng. Por në kujtesë më ka mbetur fort takimi i dikurshëm në shtëpinë e tij, bashkë me Dr. Llukman Halilin, ku u kënaqëm me një bashkëbisedim të thellë, të mençur e frymëzues.

Kam pasur nderin ta intervistoj, ta dëgjoj dhe ta njoh nga afër. Kujtoj me mall takimin në Lucernë të Zvicrës, në vitin 2002, gjatë takimit të parë shqiptaro-serb me ndërmjetësimin amerikan. Aty ishte elita politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike. Ishim në hotelin “Schweizerhof”, në qendër të Lucernës. Pas konferencës, shumë gazetarë të huaj morën prononcime nga Akademik Daci, atëherë Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kur iu afrova dhe i fola, më pyeti:
“Shqiptar je?”
“Po,” i thashë, “edhe nga Presheva.”
Më përqafoi fort. Ai përqafim nuk ishte vetëm për mua, ishte për Preshevën, për Luginën, për çdo shqiptar që vinte nga trojet e lëna padrejtësisht jashtë kufijve. Ishte përqafim atdhetarie.
Me Akademik Dacin kam edhe shumë kujtime të tjera, në Zvicër e në Kosovë, gjithmonë në shërbim të Kosovës, të dijes dhe të çështjes kombëtare. Jeta e tij ishte jetë shkence dhe përkushtimi ndaj kombit, veçanërisht ndaj Kosovës dhe Dardanisë.
Në emrin tim personal, të familjes sime, të Shoqatës “Lugina e Preshevës” në Zvicër, dhe të Institutit Shkencor Helvetik për Evropën Juglindore, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve të tij të vërtetë, Luginës së Preshevës dhe mbarë kombit shqiptar.

Nëse do ta përkufizonim një personalitet të përgatitur në të gjitha drejtimet – shkencore, politike, njerëzore e kombëtare – ai ishte Akademik Nexhat Daci. E donte Tërnocin, e donte Luginën e Preshevës. Kur fliste për atë etni, fliste më ngadalë, me kujdes të jashtëzakonshëm, sepse fjala e tij ishte e madhe dhe e peshuar.
Fjalia e tij lapidare mbetet testament historik:
“E dinë të gjithë, duan apo nuk duan, ajo etni është e Dardanisë. Pikë.”
Shkove në janarin e dhimbjes për heroin kombëtar Skënderbeut.
(Më 17 janar të vitit 1468 ndërroi jetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu)
Shkove në janarin e dhimbjes për Ibrahim Rugovën.
( Presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006)
Shkove në flakën e janarit, o shpirt i bardhë.
( Flaka e Janarit” ku nderojmë martirët që nga Skënderbeu e deri te Epoka e lavdishme e UÇK-së)
Akademik Nexhat Daci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, kryetar i Kuvendit për dy mandate (2000–2004), kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe ushtrues i detyrës së Presidentit të Kosovës në vitin 2006, pas ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova. Më vonë themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë, duke mbetur gjithmonë besnik ndaj vizionit të tij politik dhe kombëtar.
Dallohej gjtihashtu edhe për pedantëri të madhe dhe të veçantë.
Çkado që të shkruajmë, është pak. Profesor, do të mbetesh përjetë në zemrat tona. Kujtimi yt është i pashuar, vepra jote është udhërrëfyes, emri yt është histori.
Lutemi për shpirtin tënd.
Do të na frymëzosh për jetë. / helveticALforum.ch




