POSTIMET E FUNDIT

Instituti i Historisë “Ali Hadri” sjell botimin e ri për dokumentet diplomatike të Kosovës

Ditët e fundit, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka publikuar vëllimin e parë të përmbledhjes me dokumente “Kosova në Dokumentet e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë 1990-1991”, nga autori prof. as. Dr. Haxhi Ademi.

Ky botim sjell për herë të parë një grup të gjerë dokumentesh origjinale, të transkriptuara dhe të sistemuara sipas rendit kronologjik, që pasqyrojnë qartësisht qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës në periudhën vendimtare të fillimit të viteve ’90. Në një kohë kur Federata Jugosllave po shembej dhe rajoni i Ballkanit po përballej me tronditje të mëdha politike, Shqipëria, megjithëse në tranzicion të thellë, luajti një rol aktiv dhe historik në mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

Dokumentacioni përfshin raportet e ambasadave shqiptare, komunikimet zyrtare me organizatat ndërkombëtare dhe reagimet ndaj krizës në Kosovë, duke dëshmuar përpjekjet e Tiranës për ndërkombëtarizimin e çështjes dhe denoncimin e shkeljeve të të drejtave të popullsisë shqiptare nga regjimi serb. Materialet pasqyrojnë ngjarjet dramatike të viteve 1990–1991, duke filluar nga demonstratat masive e dhuna sistematike, deri te nismat diplomatike për sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare.

Një dimension i veçantë i këtij dokumentacioni lidhet me bashkëpunimin kulturor dhe arsimor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, përfshirë shkëmbime akademike dhe pranimin e studentëve nga Kosova në universitetet shqiptare, duke treguar se diplomacia shqiptare e trajtoi çështjen e Kosovës jo vetëm si problem politik, por edhe si detyrim historik për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Vlera shkencore e botimit qëndron në përpikërinë kronologjike të dokumenteve, gjuha e saktë zyrtare dhe konteksti ndërkombëtar që ndihmon studiuesit të analizojnë veprimet diplomatike të asaj kohe. Botimi ofron një bazë të gjerë për kërkime akademike në fushën e historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë shqiptare, duke u mundësuar studiuesve qasje të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në burime origjinale.

Prof. Haxhi Ademi thekson se ky botim është një dëshmi e angazhimit të shtetit shqiptar për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, si dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Dokumentet, të deklasifikuara nga Ministria për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, sjellin informacion të pazëvendësueshëm për historiografinë shqiptare dhe për studimet mbi periudhën vendimtare të viteve 1990-1991./GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB