0.8 C
Zurich
Tuesday, December 16, 2025
spot_img
spot_img

Hulumtimi i Migracionit 2024, shqiptarët jashtë vendit fitojnë më pak se pritshmëritë

Duhet ti lexosh

Hulumtimi Kombëtar i Migracionit 2024, i realizuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) në partneritet me Bankën Botërore, zbulon profilet dhe modelet e migracionit të shqiptarëve, duke ofruar të dhëna të pasura për politikat migratore. Sipas studimit, migracioni shqiptar kryesisht përbëhet nga të rinj, meshkuj dhe punëtorë me aftësi të mesme, të motivuar nga mundësitë ekonomike jashtë vendit. Më shumë se tre të katërtat e migrantëve aktualë janë meshkuj, ndërsa grup-mosha më e përfaqësuar është 25-44 vjeç.

Hulumtimi tregon se migracioni ndryshon sipas arsimimit dhe destinacionit: rreth një e treta e shqiptarëve që shkojnë në SHBA kanë arsim të lartë, ndërsa vetëm 5% e atyre që shkojnë në Greqi kanë përfunduar arsimin universitar. Përveç kësaj, prefekturat bregdetare dhe qendrore regjistrojnë nivele më të larta migracioni për shkak të afërsisë me destinacionet kryesore, si Italia dhe Greqia.

Para largimit, migrantët punojnë kryesisht në pozicione me aftësi të ulëta dhe fitojnë rreth 10% më pak se të punësuarit që nuk migrojnë. Tre muaj para largimit, 75% e migrantëve punojnë, por kjo shifër bie në vetëm 9% në muajin e fundit në Shqipëri.

Hulumtimi zbulon gjithashtu një diferencë të madhe mes pritshmërive dhe të ardhurave reale të migrantëve. Migrantët që jetojnë jashtë vendit prisnin të fitonin mesatarisht 3900 dollarë në muaj, por të ardhurat reale arrijnë vetëm rreth 2200 dollarë, duke i detyruar të kursejnë më pak sesa prisnin (450 dollarë kundrejt pritshmërive prej 1270 dollarësh). Ky hendek i pritshmërive është më i madh për migrantët në Greqi, me një diferencë prej 52% tek të ardhurat dhe 69% tek kursimet.

Hulumtimi, që përfshin 3804 familje migrantësh dhe 1198 familje jomigrantësh, kombinon intervista të drejtpërdrejta dhe sondazhe telefonike me shqiptarë jashtë vendit, duke siguruar të dhëna më të sakta dhe të hollësishme mbi ciklin e plotë të migracionit.

Ky studim shërben si bazë për politika migratore të bazuara në evidencë dhe përputhet me qëllimet e Marrëveshjes Globale për Migracionin e Sigurt, të Rregullt dhe të Rregulluar.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, në fjalën e saj tha se migracioni është një element shumë i rëndësishëm i familjeve shqiptare dhe varësia ndaj remitancave mbetet e lartë.

Zëvendësdrejtorja e Grupit për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, Evis Sulko theksoi se pjesa më e madhe e migrantëve nuk kanë marrë mbështetje, transmeton oranews.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme