POSTIMET E FUNDIT

Hoxha: Siguria e shtetasve shqiptarë në Lindjen e Mesme është prioritet

Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha siguroi se strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e Lindjes së Mesme dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.

Në ditën e parë të punës, Hoxha zhvilloi një takim me shtabin e posaçëm të ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipin drejtues të institucionit, për të disktuar mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Hoxha theksoi se temë e këtij takimi ishte përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

“Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë”, u shpreh ministri Hoxha.

Hoxha siguroi se siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute, transmeton atsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB