9 C
Zurich
Thursday, December 11, 2025
spot_img
spot_img

Heshtja që shkruan vetveten

Duhet ti lexosh

Nga Prof.Dr.Xhavit LIPAJ, Zürich

Asgjëja u lodh së qeni asgjë

dhe vendosi të bëhet kujtim i vetvetes.

Që nga ai çast, çdo grimcë e universit vuan nga nostalgjia, për diçka që nuk ka ekzistuar kurrë.

Koha, ajo magjistare e verbër,

u përkul të puthte hiçin, dhe humbi gojën.

Që prej asaj dite, çdo orë rreh në boshllëk

me rrahje zemre që nuk i dëgjon askush,

as vetë ora.

Mendimi im ecën pa kokë,

kokën e lashë në një ëndërr

që s’po zgjohet dot.

Aty më pret një hije,

që pretendon se jam unë,

por që s’ka asgjë përveç emrit tim

që unë s’e mbaj mend.

Në mes të qiellit është një derë

që s’hapet as kur është hapur.

E kalojnë vetëm ata

që nuk e dinë pse duan të hyjnë.

Atje brenda, është një tryezë me tri këmbë

që shqyrton filozofët

dhe i refuzon shumicën

se nuk dinë t’i flasin drurit.

Universi ka një shënim sekret:

“Nëse më kupton, gabon.”

Prandaj yjet ndizen natën,

jo për dritë, por për të fshehur errësirën e tyre të vërtetë.

Kam biseduar me heshtjen,

ajo më tha:

“Unë jam fjala që s’beson te vetja.”

Atëherë mendova se kuptova gjithçka,

dhe pikërisht atë çast

gjithçka u shua me turp.

Në qendër të trupit tim jeton një pyetje

që refuzon përgjigje.

Ajo gërryen brinjët

dhe ngjan me zogun e parë të botës,

atë që fluturoi para krahëve, para qiellit,

para vetë idesë së fluturimit.

Shpirti im është një dhomë

me dritare që dalin në brendinë time,

dhe çdo herë që shikoj jashtë

gjej versionin tim tjetër

duke më parë nga brenda.

Dhe kur i afrohem, ai tretet

në një fjali të papërfunduar,

si universi që s’e gjeti dot mbaresën

se nuk deshi ta niste veten.

Në fund,

çdo gjë është e kuptueshme

vetëm derisa përpiqesh ta kuptosh.

Vetëm kështu …

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme