Kosova ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025 të mbetet dukshëm më e varur nga importi sesa nga eksporti, tregojnë të dhënat e publikuara nga Instituti GAP, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës.
Sipas infografikës “Top 10 produktet më të eksportuara dhe importuara nga Kosova, 2025”, produkti më i importuar në vend kanë qenë veturat, me vlerë rreth 651 milionë euro, të pasuara nga derivatet e naftës me 560 milionë euro dhe energjia elektrike me 259 milionë euro.
Në listën e importeve më të mëdha përfshihen gjithashtu cigaret (158 milionë euro), shufrat prej çeliku (154 milionë euro), medikamentet (149 milionë euro), pijet joalkoolike (102 milionë euro), çimentoja (66 milionë euro), ëmbëlsirat dhe gjedhët, secila me rreth 95 milionë euro.
Në anën tjetër, eksportet e Kosovës dominohen nga plastika, me vlerë prej 56 milionë euro, energjia elektrike me 55 milionë euro dhe pijet joalkoolike me 54 milionë euro. Pas tyre renditen mobiliet (48 milionë euro), konstruksionet e çelikut (36 milionë euro), tubat e çelikut (26 milionë euro), kostumet për gra (24 milionë euro), dyshekët (24 milionë euro), mbetjet e skrapit (23 milionë euro) dhe veshjet për gra (20 milionë euro).
Instituti GAP sqaron se të dhënat për energjinë elektrike të raportuara nga Dogana mund të përfshijnë edhe energjinë që kalon përmes Kosovës si transit.
Të dhënat konfirmojnë hendekun e madh tregtar mes importeve dhe eksporteve, duke reflektuar sfidat strukturore të ekonomisë së Kosovës dhe nevojën për rritjen e prodhimit vendor dhe kapaciteteve eksportuese, transmeton telegrafi.




