Të dashur bashkatdhetarë, lexues të HelveticALforum.ch, shqiptarë në atdhe dhe në çdo cep të botës — sot, në 113-vjetorin e shpalljes të pavarësisë së shtetit shqiptar, zemrat tona rrahin njësoj, me krenari dhe mall, me kujtim dhe me shpresë.
Në këtë ditë të madhe, le të shprehim dëshirën e përbashkët që të jemi më të bashkuar se kurrë, që trojet tona të ecin drejt Europës së bashkuar, drejt NATO-s dhe drejt realizimit të ëndrrës së kahershme: unitetit kombëtar në paqe, dinjitet dhe mirëqenie.
Por zemra na dhemb teksa mendojmë për ata që sot nuk mund ta festojnë siç do të duhej — për Luginën e Preshevës, për Çamërinë, për të gjithë vëllezërit tanë që ende përballen me padrejtësi, mungesë të të drejtave dhe mungesë lirie. Më shumë se kurrë, kombit tonë i duhet unitet, moral, drejtësi dhe meritokraci.
Gëzuar këtë ditë të shenjtë, dhe Zoti e bekoftë kombin tonë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që kanë qëndruar pranë nesh! Lavdi për jetë të jetëve dëshmorëve tanë, lavdi atyre që sakrifikuan gjithçka, lavdi atyre që luftuan për liri, për flamur, për identitet. Të mos harrojmë kurrë të pagjeturit — plagë e hapur e kombit — për të cilët ende sot nuk jepet drejtësi.
Lutemi për çlirimtarët tanë që po gjykohen në tribunalet ndërkombëtare; u kthefshin të pafajshëm, me nder dhe triumf, ashtu siç e meriton e vërteta.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Rroftë Shqipëria, rroftë kombi shqiptar!
Redaksia




