Deputeti Haxhi Avdyli ka bërë të ditur se është larguar nga të gjitha pozitat në partinë GUXO, në shenjë proteste ndaj, siç e ka quajtur ai, gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë që janë drejtuar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Lajmin e ka bërë publik vetë Avdyli përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se nuk mund të identifikohet me sulme të tilla dhe me një klimë politike që nxit linçime publike.
Sipas tij, sulmet e ashpra ndaj presidentes, të shoqëruara edhe me kërcënime dhe manipulime me inteligjencë artificiale që përhapin urrejtje, janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një formë politike që duhet t’i përkasë së kaluarës.
Avdyli ka theksuar se më herët kishte shprehur mospajtimin e tij me zhvillimet e fundit politike brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se këtë qëndrim e kishte bërë të qartë edhe në prani të kryeministrit Albin Kurti, si dhe në mbledhjet e kryesisë së GUXO-s.
Megjithatë, sipas tij, ndonëse kishte mospajtime politike brenda grupit, nuk e kishte pritur që situata të përshkallëzohej deri në linçime publike, fyerje dhe kërcënime, madje edhe nga persona që deri pak ditë më parë e quanin Osmanin “krenari të Kosovës”.
Në shenjë proteste ndaj kësaj situate, Avdyli tha se ka vendosur të tërhiqet nga të gjitha pozitat në GUXO, duke shpresuar se dorëheqja e tij do të shërbejë si një thirrje për reflektim dhe për ndaljen e gjuhës së urrejtjes në politikë.
Ai bëri thirrje që, pavarësisht dallimeve politike, të ruhet respekti dhe njerëzillëku në diskursin publik, duke theksuar se e ardhmja e Republikës së Kosovës duhet të jetë mbi çdo interes tjetër, transmeton rtk.




