1 C
Zurich
Sunday, January 11, 2026
spot_img
spot_img

Harresa e Personaliteteve: Kur Vlerat e Paharruara Ndeshen me Krizën e Shoqërisë

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Prof. Dr. Zekeria Cana nuk është një emër që lejohet të zbehet në heshtje. Ai është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare.

KOLOS I HISTOGRAFISË SONË KOMBËTARE Prof. Dr. Zekeria Cana, personalitet i dalluar i historisë sonë kombëtare, mbetet një nga figurat më të ndritura të mendimit dhe veprimit atdhetar shqiptar. Në vend të një përkujtimi formal, në vend të një luleje të freskët mbi varrin e këtij atdhetari të paharruar, po i kushtoj këto pak fjalë zemre, sepse dje, më 10 janar, u bënë 17 vjet që shpirti i tij u nda nga kjo botë dhe shkoi në përjetësi.

Në momentet më të vështira dhe më kritike për fatin e kombit, Prof. Dr. Zekeria Cana nuk qëndroi asnjëherë anash. Ai e lidhi fatin e vet ngushtë me fatin e popullit, duke qenë gjithmonë pranë tij, me fjalë, me vepra dhe me qëndrim të palëkundur. Ky përkushtim u dëshmua qartë edhe gjatë luftës heroike të familjes Jashari, ku në krye me heroin legjendar Adem Jashari, u shkrua një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë më të re. Në ato ditë të rënda e vendimtare, ai u gjend pranë kësaj familjeje, duke dëshmuar solidaritet njerëzor dhe përgjegjësi të lartë kombëtare.

Prof. Dr. Zekeria Cana do të mbahet mend edhe për kontributin e tij të çmuar në kohën e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, një mision fisnik që synonte shërimin e plagëve të vjetra dhe forcimin e unitetit kombëtar. Me autoritet moral, me fjalë të urtë dhe me besimin që gëzonte në popull, ai ishte pjesë e atij brezi burrash që e kuptuan se pa pajtim nuk ka liri dhe pa unitet nuk ka të ardhme.

Vepra dhe figura e tij mbeten të gjalla në kujtesën tonë historike dhe shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të nesërm. Kujtimi për Prof. Dr. Zekeria Canën është kujtim për dinjitetin, sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar për atdheun.

Me keqardhje konstatoj se këto ditë nuk pashë askund që t’i kushtohej qoftë edhe një fjalë këtij personaliteti të madh të historisë sonë kombëtare. Heshtja rreth figurës dhe veprës së tij është e dhimbshme, sidomos kur kujtojmë peshën morale, intelektuale dhe atdhetare që ai mbarti gjatë gjithë jetës.

Në anën tjetër, hapësirat publike, janë të mbushura me shkrime të cekëta e pa asnjë vlerë shoqërore, ku më shumë lexohet se filanja puthi filanin, operacionet plastike, sesa për njerëz që i kanë dhënë kuptim sakrificës, dijes dhe përkushtimit kombëtar. Kjo shpërndarje e vëmendjes tregon qartë krizën e vlerave me të cilën po përballemi si shoqëri. Vepra dhe figura e Prof. Dr. Zekeria Canës mbeten udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të nesërm. Emri i tij është i gdhendur me nder në kujtesën historike të kombit shqiptar.

Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Dr. Zekeria Canës!

(Foto e realizuar në Tiranë, 1998)

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme