Prishtinë, 23 mars – Kryeqyteti i Kosovës do të jetë sonte epiqendra e kulturës frankofone me hapjen zyrtare të edicionit të 26-të të Javës së Frankofonisë. Ceremonia inauguruese do të zhvillohet në Kino Armata, duke filluar nga ora 20:00, dhe pritet të mbledhë përfaqësues institucionalë, artistë dhe dashamirë të kulturës.
Ngjarja do të nderohet me fjalime rasti nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilët do të theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe gjuhësor ndërmjet vendeve frankofone dhe Kosovës.
Në kuadër të ceremonisë së hapjes, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një performancë të veçantë muzikore nga artistja Linda Rukaj, e cila do të shoqërohet në piano nga Antonio Fjerca. Kjo paraqitje artistike pritet të sjellë një atmosferë të veçantë frankofone dhe të pasurojë mbrëmjen me tinguj bashkëkohorë dhe klasikë. Java e Frankofonisë do të vazhdojë me një program të larmishëm gjatë ditëve në vijim, duke përfshirë aktivitete kulturore, artistike dhe edukative. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është promovimi i gjuhës frënge dhe kulturës frankofone në Kosovë, si dhe forcimi i lidhjeve ndërkulturore. Ky edicion i 26-të konfirmon edhe një herë rëndësinë e Frankofonisë si një urë lidhëse mes kulturave dhe si një platformë për shkëmbim artistik dhe intelektual, transmeton rtk.




