Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Sipas një njoftimi për media, Hamza i shprehu mirënjohje ambasadorit Schnetzer për përkrahjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Kosova, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Ai e vlerësoi Austrinë si një partner të rëndësishëm në proceset shtetformuese dhe zhvillimore të vendit.
Gjatë takimit, Hamza theksoi se stabiliteti institucional dhe bashkëpunimi i brendshëm politik janë të domosdoshëm për tejkalimin e sfidave me të cilat përballet vendi. Sipas tij, PDK mbetet një forcë konstruktive dhe bashkëpunuese në gjetjen e zgjidhjeve që janë në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Në fokus të diskutimit ishte edhe perspektiva euroatlantike e Kosovës. Hamza nënvizoi se vetëm përmes koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Kosova mund të avancojë drejt integrimeve euroatlantike dhe të forcojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në vazhdën e komunikimit të rregullt me partnerët strategjikë të vendit, transmeton rtk.




