Nga Andi Kurti
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, mbajti një fjalim të fortë pro Palestinës gjatë një koncerti bamirësie në Barcelonë. Ai u shfaq në skenë me kefije palestineze dhe foli për vuajtjet e fëmijëve në Gaza, teksa kritikoi udhëheqësit botërorë për heshtjen dhe mungesën e veprimit.
Pep Guardiola ka shfrytëzuar ditën e tij të pushimit nga Manchester City për të marrë pjesë në një koncert bamirësie në Barcelonë në mbështetje të fëmijëve palestinezë.
Trajneri spanjoll u ngjit në skenë në arenën “Palau Sant Jordi”, i veshur me kefije bardhë e zi palestineze, duke mbajtur një fjalim emocional përpara mijëra të pranishmëve.
Guardiola foli për dhimbjen që ndjen sa herë sheh pamjet e fëmijëve të plagosur dhe të mbetur vetëm mes rrënojave.
Ai tha se bota i ka braktisur ata dhe se ata që janë në pushtet dërgojnë të pafajshëm të vrasin të pafajshëm, ndërsa vetë jetojnë të sigurt.
Sipas tij, qëllimi i bombardimeve është heshtja dhe kthimi i shikimit nga ana tjetër, ndaj u bëri thirrje njerëzve të mos qëndrojnë indiferentë dhe të përfshihen.
Trajneri katalanas theksoi se qëndrimi i tij është në krah të më të dobëtit, që në këtë rast është Palestina, por se mesazhi është edhe për njerëzimin në tërësi. Koncerti, ku morën pjesë rreth 12 mijë persona dhe ku performoi edhe këngëtarja Rosalia, mblodhi fonde që do të përdoren për iniciativa kulturore palestineze, si rrjeti i arteve skenike palestineze.
Guardiola nuk është hera e parë që shpreh publikisht mbështetje për Palestinën. Ai më herët ka deklaruar se nuk mund të justifikohet asnjë masakër ndaj civilëve dhe se ka pak besim te liderët botërorë, të cilët sipas tij mendojnë vetëm për pushtetin e tyre, transmeton oranews.
Foto Ilustrim




