Shumë zviceranë janë aktualisht të sëmurë nga gripi – disa prej tyre prej javësh. Në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, po qarkullojnë dhjetëra video ku njerëzit ankohen për simptoma tipike të gripit: dhimbje fyti, rrufë, ethe, kollë dhe dhimbje koke.
“Nuk mbaj mend kur kam qenë kaq keq herën e fundit”, thotë një përdoruese. Të tjerë pyesin: “Pse duket sikur të gjithë janë sëmurë këto ditë?”
Edhe komuniteti i lexuesve të mediave zvicerane raporton për simptoma të rënda dhe të zgjatura. Berkay (28) thotë se u sëmur katër javë më parë dhe ende nuk ndjen përmirësim të dukshëm. Edhe miqtë e tij po përjetojnë të njëjtën gjë. Sarah (43) është e ftohur prej dy javësh, me simptoma që nuk po largohen. Marco (44) u shërua nga gripi brenda një jave, por tash dy javë më vonë vazhdon të vuajë nga një kollë e fortë dhe e qëndrueshme.
Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), javën e kaluar janë regjistruar 1363 raste të konfirmuara laboratorikisht të gripit në gjithë Zvicrën, krahasuar me rreth 500 raste në fund të nëntorit, teansmeton helveticALforum.ch. Infektologu nga Bazeli, Andreas Widmer, shpjegon se kjo sezonë gripi ka nisur më herët se zakonisht. “Në Australi, e cila shpesh shërben si tregues për Evropën, sezoni i gripit filloi që në prill, në vend të qershorit. Edhe në Zvicër, vala nisi në fillim të dhjetorit, jo në janar si zakonisht”, thotë ai. Në Australi janë shënuar shifra rekord infektimesh, prandaj pritet që edhe Zvicra të përballet me një valë të fortë.
Sa i përket sëmundjeve që zgjasin më shumë, Widmer thekson se kjo është e vështirë të vlerësohet saktësisht. Shumë persona nuk kthehen te mjeku nëse simptomat nuk janë shumë të rënda. Për më tepër, stresi para festave të fundvitit dhe fillimi i hershëm i sezonit mund ta bëjnë sëmundjen të perceptohet si më e gjatë. Një rol të rëndësishëm vazhdojnë ta luajnë edhe viruset e tjera, transmeton 20min.ch Covid-19 dhe virusi RSV ende qarkullojnë dhe aktualisht mbivendosen me gripin.
Kjo mund ta zgjasë sëmundjen ose ta bëjë më të rëndë. Një infeksion me RSV, për shembull, mund të zgjasë katër deri në gjashtë javë dhe shpesh shoqërohet me kollë të vazhdueshme, transmeton helveticALforum.ch. Edhe kushtet klimatike ndikojnë: ajri i ftohtë dhe i thatë dobëson mbrojtjen e mukozës së hundës dhe lehtëson përhapjen e viruseve. Në ambiente të mbyllura dhe të thata, sidomos në dimër, njerëzit qëndrojnë më afër njëri-tjetrit, gjë që rrit rrezikun e infektimit.
A ia vlen ende vaksinimi kundër gripit?
Sipas Widmer, po. “Pas dhjetë deri në katërmbëdhjetë ditësh arrihet mbrojtja më e mirë. Kjo mjafton përpara festave të fundvitit, ku tradicionalisht ndodhin shumë infeksione”, thotë ai. Në një dimër që ka nisur herët dhe me intensitet, ekspertët këshillojnë kujdes, pushim të mjaftueshëm dhe vaksinim – për të kaluar sa më shëndetshëm sezonin e ftohtë, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




