Trashëgimia kulturore dhe historike e Shqipërisë po vazhdon të tërheqë një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh vendas dhe të huaj.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi sot se gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar 42,251 vizitorë në muzetë kombëtarë, parqet arkeologjike, kalatë dhe monumentet e kulturës.
Sipas të dhënave të publikuara, 21,134 vizitorë kanë zgjedhur muzetë kombëtarë, 14,394 parqet arkeologjike dhe 6,723 kalatë e monumentet e kulturës.
Ministri Gonxhja theksoi se tre sitet më të vizituara janë; Parku Arkeologjik Shkodër me 8,587 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me 8,176 vizitorë, Kalaja e Gjirokastrës me 5,513 vizitorë.
“Trashëgimia jonë kulturore vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë, me 42,251 vizitorë vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur të përjetojnë historinë nga afër gjatë dy muajve të parë të vitit 2026. Pjesa më e madhe ka vizituar muzetë kombëtarë, parqet arkeologjike dhe kalatë e monumentet e kulturës.”-përfundon Gonxhja reagimin e tij, transmeton rtsh.




