Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka realizuar ndarjen zyrtare të stemave të FIFA-s për gjyqtarët dhe asistentët kosovarë për vitin 2026.
Ceremonia e ndarjes u bë nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në bashkëpunim me kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani. Kjo ngjarje përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për punën dhe përkushtimin e gjyqtarëve kosovarë, të cilët po vazhdojnë të përfaqësojnë vendin si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Me këtë rast, presidenti Ademi theksoi rëndësinë e rolit të gjyqtarëve në zhvillimin dhe suksesin e futbollit në Kosovë. Ai vlerësoi angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe i inkurajoi që të vazhdojnë punën me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe vigjilencë të shtuar.
Sipas FFK-së, pajisja me stemën e FIFA-s është një dëshmi e besimit dhe standardeve të larta që gjyqtarët kosovarë kanë arritur, duke hapur njëkohësisht rrugë për përfaqësim edhe më të denjë në arenën ndërkombëtare, transmeton rtk.




