Presidenca e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se vendimi konfirmon qartë se Presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese me dekretin e saj.
Në reagimin zyrtar thuhet se gjykata nuk ka konstatuar në asnjë paragraf të aktgjykimit ndonjë shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentes. Përkundrazi, sipas Presidencës, vendimi sqaron se nuk është dekreti ai që e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, por dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Është e qartë se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi deputetët, për shkak të mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus”, thuhet në reagim.
Presidenca ka sqaruar gjithashtu se dhënia e një afati shtesë për procesin e zgjedhjes së presidentit nuk ka qenë në kompetencat e presidentes Osmani. Sipas tyre, pikërisht dekreti i saj ka shërbyer për të hapur rrugën për interpretimin përfundimtar nga ana e gjykatës.
Në reagim kritikohet edhe retorika politike që ka pretenduar shkelje kushtetuese, duke e cilësuar atë si keqinterpretim të vendimit dhe politizim të një çështjeje tashmë të qartësuar juridikisht.
Në fund, Presidenca u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendi i Kosovës që të veprojnë pa vonesë dhe të thërrasin seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe tejkalimit të ngërçit institucional, transmeton rtk, përcjell helveticALForum.ch




