Departamenti i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” pasuron ofertën akademike edhe me kurset e gjuhës shqipe për të huajt dhe shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Kjo risi u ofrohet si përmes leksioneve të zhvilluara në ambientet e universitetit, ashtu edhe online, duke krijuar mundësi për ndjekjen e mësimit nga çdo vend i botës.
Drejtuesja e departamentit, Orjeta Baja, thekson se programet janë të strukturuara për të gjitha nivelet e gjuhës dhe ofrojnë një përvojë të plotë mësimore, me staf të kualifikuar dhe metodologji bashkëkohore.
Këto kurse synojnë jo vetëm mësimin e gjuhës shqipe sipas standardeve bashkëkohore akademike, por edhe promovimin e kulturës, historisë dhe traditës shqiptare si dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar jashtë vendit.
Përmes kësaj nisme, Universiteti I Shkodrës synon të kthehet në një qendër referimi për studimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në nivel ndërkombëtar, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me diasporën dhe partnerë akademikë jashtë Shqipërisë, A. Hoti, transmeton rtsh.




