Gjermania ka vendosur pesë avionë luftarakë Eurofighter dhe rreth 150 ushtarë në qytetin Malbork të Polonisë për të ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, pas hyrjes së dronëve rusë në zonë në muajin shtator.
Sipas Forcave Ajrore Gjermane, ky vendim është pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar sigurinë në krahun lindor të aleancës.
Në incidentin e shtatorit, avionë F-16 polakë, F-35 holandezë, AWACS italianë dhe një aeroplan furnizimi me karburant i NATO-s u ngritën në ajër për të rrëzuar dronët rusë që shkelën hapësirën ajrore polake, duke shënuar herën e parë që një anëtar i NATO-s ka hapur zjarr gjatë luftës në Ukrainë.
Eurofighterët gjermanë po operojnë si pjesë e misionit Eastern Sentry dhe do të qëndrojnë të stacionuar në Malbork deri në mars të vitit 2026.
Ky qytet ndodhet rreth 60 kilometra nga Gdansk dhe 80 kilometra nga enklava ruse e Kaliningradit, duke e bërë atë një pikë strategjike për mbrojtjen e rajonit.
Shefi i Forcave Ajrore, Holger Neumann, deklaroi se ky mision është një mesazh i fortë mbështetjeje për Poloninë dhe për NATO-n në tërësi.
Përveç Polonisë, Gjermania ka vendosur avionë luftarakë Eurofighter edhe në Rumani, si pjesë e masave për të forcuar krahun lindor të aleancës mes tensioneve të rritura me Rusinë, transmeton rtsh.




