Përgatiti Dashnim HEBIBI
Udhëheqësja e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me themeluesin dhe Drejtorin e International Institute for Diplomacy – Switzerland (IID), z. Pablo Demierre, ku është diskutuar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë takimit, palët kanë shkëmbyer ide për nisma të përbashkëta që do të shfrytëzonin potencialin e Gjenevës si një nga qendrat më të rëndësishme të diplomacisë dhe multilateralizmit në nivel global. Theksi është vendosur në krijimin e projekteve që do të kontribuonin në rritjen e kapaciteteve diplomatike dhe në forcimin e prezencës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Znj. Kabashi dhe z. Demierre janë shprehur të hapur për të avancuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, duke parë këtë takim si një hap të parë drejt krijimit të partneriteteve të qëndrueshme dhe të dobishme për të dyja palët.
Ky angazhim i përbashkët pritet të sjellë mundësi të reja për promovimin e Kosovës në Gjenevën ndërkombëtare, duke rritur dukshmërinë dhe kontributin e vendit në proceset diplomatike globale, njofton Konsullata e Kosovës në Gjenevë, transmeton helveticALforum.ch




