POSTIMET E FUNDIT

Fotoreportazh – Mësuese/së të LAPSH-it – Shpirti i Gjuhës Shqipe në Diasporë

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Glattbrugg, Cyrih – 7 Mars 2026 – Në një mbrëmje festive e të ngrohtë dhe emocionuese, LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Cyrihut shënoi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke kremtuar edhe 35 vjetorin e veprimtarisë së saj. Darka u zhvillua në Restaurant Glatthof, një vend ku flamuri shqiptar, ai i Kosovës dhe ai i Zvicrës qëndronin të vendosur në krye të sallës, duke simbolizuar unitetin, krenarinë kombëtare dhe lidhjen e fortë mes mërgatës shqiptare dhe atdheut. 

Atmosfera ishte e mbushur me emocione, kujtime dhe mirënjohje, duke reflektuar historinë dhe përkushtimin e mësuesve dhe mësueseve të LAPSH-it, gardianët e gjuhës shqipe në mërgatë.

Prof. Hamzë Morina – Një jetë e përkushtuar për gjuhën shqipe

Momenti më prekës i mbrëmjes ishte takimi personal me Prof. Hamzë Morinën, veteran i arsimit nga Rahoveci i Kosovës, ish-kryetar i LAPSH-it qendror në Zvicër dhe autor i një monografie mbi historinë e LAPSH. Ai më rrëfeu me lot për jetën e tij të kushtuar arsimit dhe gjuhës shqipe, për sakrificat dhe sfidat që ka kaluar gjatë dekadave të punës. Morina kujtoi fëmijërinë në vitet 1968 në Ratkoc, ku recitonte vargje të rilindasve shqiptarë në shkollë.

Një episod i paharrueshëm: gjatë një feste shkollore, regjimi serb ndërpreu manifestimin për shkak të recitimit të tij për Shqipërinë dhe përjashtoi mësuesin pa asnjë faj. Ai rrëfeu gjithashtu për kohët e vështira kur punonte si mësues në Kosovë dhe më pas në Zvicër. Duke parë filmin e shkurtërt dokumentar për 35 vjet aktivitet të LAPSH-it në Cyrih, lotët e tij ishin të dukshëm. “Sa shpejt shkoi jeta… Një jetë si ajo e shkollës dhe e gjuhës do ta kisha kushtuar përsëri,” më tha ai. Prof. Hamzë Morina gjithmonë ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe mbetet një model frymëzimi për gjeneratat e ardhshme.

Atmosfera dhe fillimi i programit

Programi filloi me një atmosferë mikpritëse, ku mysafirët dhe pjesëmarrësit shprehën emocionet dhe pritshmëritë e tyre për mbrëmjen. Gëzim Kasumaj, drejtues i programit dhe anëtar i kryesisë së LAPSH-it për Kt. Cyrih përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi përkushtimin e mësuesve, donatorëve dhe gjithë komunitetit shqiptar që ka ruajtur gjuhën shqipe në mërgatë.

Fjalën e mori më pas Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi secilin për mbështetjen ndër vite që po i jepet LAPSH-it për Kt.Cyrih. Ai theksoi rëndësinë e mësimit plotësues të Gjuhës dhe Kulturës Amtare (GJKA) për fëmijët shqiptarë në mërgatë, si një mënyrë për të ruajtur identitetin dhe lidhjen me vendin e origjinës dhe uroi të gjithë mësueset/it 7 marsin për ditën e mësuesit dhe 8 marsin festën e gruas.

Recitime dhe reflektime nga rilindësit shqiptarë

Programi u pasurua me një recitim nga z. Kasumaj të vargjeve të rilindasve shqiptarë, duke përfshirë krijime nga:

  • Ndre Mjeda
  • Naim Frashëri
  • Gjergj Fishta
  • Hil Mosi

Këto vargje, të recituara me emocion, sollën nostalgji dhe frymëzim për të gjithë të pranishmit, duke theksuar lidhjen e gjuhës shqipe me shpirtin kombëtar.

Fjalimet dhe urimet e të ftuarve

Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm përfaqësues nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, ish-anëtarë të LAPSH-it dhe donatorë të shumtë. Të gjithë folësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe rolin e LAPSH-it si gardian i saj.

Mes të fjalëve të veçanta:

  • Avni Zejnullahu, zv. konsull i Kosovës në Cyrih
  • Dr. Sali Sefa, ish-konsull
  • Prof.Hamzë Morina, ish-kryetar i LAPSH-it qendror në Zvicër
  • Naser Ramabaja, LAPSH Jura
  • PhD. Dashnim Hebibi, ish-mësues dhe drejtues i platformës HELVETICALFORUM
  • Nexhat Maloku, ish-kryetar i LAPSH-it qendror
  • Ramadan Morina, moderator dhe artist
  • Remzije Shabani, koordinatore LAPSH Cyrih
  • Habib Leci, donator dhe përfaqësues i ndërmarrjes Rinora 4

Të gjithë përfaqësuesit apeluan për angazhim më të madh të prindërve, mësuesve dhe institucioneve, për të siguruar që sa më shumë fëmijë të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Mirënjohje për mësuesit dhe donatorët

Mësues dhe mësuese të nderuar të LAPSH-it për Kt.Cyrih:

  • Elfete Hasi
  • Afërdita Veliu
  • Remzije Shabani
  • Sabahate Krasniqi
  • Dafina Haziraj
  • Drilona Maloku
  • Naser Ulaj
  • Dashnim Hebibi

Mbështetësit u nderuan me mirënjohje:

  • Dr. Sali Sefa
  • Prof. Hamzë Morina
  • Ramadan Millaku – pronar i Restaurant Glatthof
  • Gentiana Tafili – këngëtare

Donatorët dhe sponsorët e tjerë të LAPSH-it:

  • MPJD
  • Rinora 4 – Habib Leci
  • Restaurant Glatthof – Ramadan Millaku
  • Bugdet Group AG – Bekim Prelvukaj
  • Turicum Clean GmbH – Blerim Krasniqi
  • Befi AG – Fisnik Dauti
  • Murtishi AG – Edmond Murtishi
  • Dach 2000 GmbH – Adem Osmani
  • Zürichsee Garten – Hajrush Gashi
  • Zürich Versicherung – Liridon Kurti
  • Shala Montagen GmbH – Muhamed Shala
  • Allenmoos Garage GmbH – Naser Ahmeti
  • RM Baudichtungen GmbH – Rikard Morina
  • Gepart AG – Naser Krasniqi
  • Praxis Dr. Xhafer Sadiku & Fatlume Sadiku
  • Spitex Anima – Albina Kuqi
  • HELVETICALFORUM –PhD. Dashnim Hebibi
  • albradio.ch – Premtim Sermaxhaj
  • TV HAPSIRA – Lulzim Hasi

Momente artistike dhe festive

Mbrëmjes i dha një dimension të veçantë znj.Gentiana Tafili, këngëtare e njohur dhe shumë e dashur nga Shkodra, me interpretimin e saj brilant të një kënge shkodrane, e ndjekur nga vallja tradicionale shqiptare. Atmosfera ishte e mbushur me emocione, bashkëbisedime dhe kujtime nga 35 vjet veprimtari e LAPSH-it. Çdo moment i kësaj mbrëmjeje reflektoi përkushtimin, seriozitetin dhe pasionin për gjuhën shqipe të mësuesve, donatorëve dhe gjithë komunitetit shqiptar në Cyrih. LAPSH mbetet një institucion i çmuar, gardian i gjuhës dhe kulturës shqipe, dhe një model frymëzimi për gjeneratat e reja. Për mua, kjo natë nuk ishte thjesht një festë – ishte një përkujtim i gjallë i sakrificës dhe dashurisë për gjuhën dhe kulturën tonë. 

Dy telegrame;

Përshëndetje i nderuar Naser,

Me kënaqësi do të merrja pjesë në festën tuaj, pasi organizimet tuaja janë gjithmonë të veçanta. Megjithatë, pikërisht më 7 mars, në kantonin e Bernës kemi planifikuar një darkë pune dhe festive për Ditën e Mësuesit.

Me këtë rast, ju uroj Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!

Me respekt,
Saime Isufi
Kantoni i Bernës

———-

Përshëndetje Naser,

Fillimisht, urime Festa e 7 Marsit, si dhe urime për 35-vjetorin e L.A.P.SH. në Cyrih.

Ju jeni një shembull shumë i mirë për t’u ndjekur për punën dhe përkushtimin tuaj. Ju falënderojmë shumë për mundësinë dhe e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë.

Ju dëshiroj një mbrëmje të këndshme sonte dhe uroj që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Me respekt,
Lindita Osmani
Kantoni i Tiçinos

Mbrëmja e 7 Marsit në Cyrih nuk ishte vetëm një përkujtim i Ditës së Mësuesit, por një festë e shpirtit dhe e dashurisë për gjuhën shqipe.

Mësuesit dhe mësueset e LAPSH-it, gardianët e vërtetë të gjuhës në mërgatë, treguan se përkushtimi, pasioni dhe sakrifica për ruajtjen e identitetit kombëtar nuk matet me kohë, por me zemër. Rrëfimet e Hamzë Morinës, emocionet që mbushnin sallën, vargjet e rilindasve shqiptarë dhe filmi i shkurtërt dokumentarë për 35 vite veprimtari të LAPSH-it krijuan një atmosferë ku historia, memoria dhe dashuria për gjuhën shqipe u përplasën me emocionet e të pranishmëve.

LAPSH nuk është vetëm një institucion – është shtëpia ku gjuhës shqipe i jepet jetë, ku çdo fjalë dhe çdo varg shndërrohet në një trashëgimi të gjallë për brezat që vijnë. Në këtë mbrëmje u pa qartë se gjuha shqipe nuk është thjesht mjet komunikimi; ajo është shenjë krenarie, identiteti dhe bashkimi. Dashuria për të, përkushtimi i mësuesve dhe mbështetja e donatorëve dhe komunitetit shqiptar në Cyrih treguan se zëri i shqipes do të vazhdojë të dëgjohet, të flitet dhe të respektohet, për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. 

Në fund të takimit, pas një mbrëmjeje që zgjati rreth tre orë, z. Lulzim Hasi, i cili prej vitesh me përkushtim regjistron me kamerë dhe fotoaparat shumë nga aktivitetet dhe ngjarjet e LAPSH-it, realizoi edhe një foto kujtimi me stafin e LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut, si dhe fotografi të tjera me mysafirët e pranishëm. Ai kishte qëndruar gjatë gjithë kohës në këmbë, duke dokumentuar çdo moment të kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Atmosfera e mbrëmjes ishte si në një sofër të madhe familjare, ku mbizotëronin bashkëbisedimet e ngrohta dhe të sinqerta për të mirën e gjuhës shqipe dhe për të ardhmen e saj në mërgatë.

Pas disa valleve dhe momenteve të bukura artistike, të gjithë u ndanë të kënaqur, duke u përshëndetur me shpresën se do të takohen përsëri në gëzime të tjera. I gjithë stafi i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut gëzon respekt dhe autoritet në komunitet, sepse i bashkon një qëllim i përbashkët: ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe. Ata funksionojnë si një familje e madhe, ku secili angazhohet me përkushtim që çdo aktivitet të realizohet sa më mirë.

Mes tyre vëreheshin aktivisht Fation Bajrami, Gëzim Kasumaj edhe me moderim dhe me disa humoreska të lehta e shumë të pranueshme, pastaj Lulzim Hasi, Prof. Naser Ulaj, dhe e gjithë kryesia, të cilët gjatë gjithë mbrëmjes qëndronin pranë mysafirëve duke i nderuar dhe mirëpritur.

Në këtë mbrëmje festive, mësueset dhe mësuesit u ndjenë të vlerësuar dhe të nderuar, sidomos kur mësueset morën edhe lule të freskëta me rastin e 7 dhe 8 Marsit, një shenjë simbolike mirënjohjeje për punën e tyre të palodhshme. Puna e mësuesit është e shenjtë dhe do të mbetet e nderuar përjetë, sepse ata mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e një kombi.

Siç më thanë edhe disa nga mësueset me të cilat pata rastin të bashkëbisedoj gjatë mbrëmjes:

“Gjuhën shqipe do ta ruajmë dhe do ta trashëgojmë brez pas brezi.”

Dhe pikërisht kjo frymë përkushtimi dhe dashurie për gjuhën shqipe ishte mesazhi më i fortë që përcolli kjo mbrëmje e veçantë e LAPSH-it në Cyrih.

Fotot: Lulzim Hasi

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB