Prestigjiozja Forbes Travel i ka kushtuar një artikull të dedikuar Shqipërisë dhe modelit të saj turistik, me në fokus kalimin nga rritja në shifra drejt cilësisë dhe standardeve. Në intervistë, ministri Blendi Gonxhja thekson se turizmi shqiptar po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe profesionalizimi.
Shqipëria po kërkon të ripozicionohet në hartën turistike europiane jo vetëm si destinacion në rritje, por si destinacion cilësor.
Në një artikull të dedikuar nga Forbes Travel, vlerësohet transformimi i shpejtë i sektorit turistik shqiptar gjatë dekadës së fundit.
Nw njw inervistw ministry i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, thekson se prioriteti i qeverisë nuk është më vetëm rritja e numrit të turistëve, por konsolidimi i standardeve, cilësisë së shërbimeve dhe qëndrueshmërisë afatgjatë.
Sipas tij, modeli turistik i Spanjës shihet si shembull për planifikimin dhe profesionalizimin e sektorit. Artikulli nënvizon se Shqipëria ka kaluar nga një destinacion pak i njohur në një nga tregjet me rritjen më të shpejtë në Europë, me mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë dhe me një kontribut të turizmit që arrin rreth një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Tërheqja turistike lidhet me Rivierën shqiptare, trashëgiminë kulturore dhe qytetet historike. Mes pikave të veçanta përmendet Parku Kombëtar i Butrintit, si dhe qytetet muze Berati dhe Tirana. Rritja e interesit ka sjellë edhe investime nga zinxhirë të mëdhenj hotelerie.
Në kuadër të promovimit ndërkombëtar, Shqipëria planifikon hapjen e një zyre turizmi në Madrid për tregun iberik.
Mesazhi kryesor që përcillet është se Shqipëria po kalon nga një destinacion “në zbulim” drejt një destinacioni të konsoliduar, me më shumë rregulla, standarde dhe vizion afatgjatë. Sipas Forbes Travel, ky është një hap i rëndësishëm për ta vendosur vendin mes destinacioneve cilësore të Mesdheut, transmeton oranews.




