Nga Arben Iliazi
Kujtesa është baza e personalitetit individual, sikurse tradita është baza e personalitetit kolektiv të një populli. Të dya këto vlera të rralla njerëzore dhe historike, që janë faktor thelbësor i krijimtarisë së njeriut, jetojnë brenda popullsisë çame, të shpërngulur me dhunë gjatë eksodit biblik të viteve 1944-1945. Populli çam jeton brenda kujtimeve dhe, nëpërmjet tyre, këto kujtime i përjetëson dhe i shndërron në shpresë, që e kaluara të ketë të ardhme. Mjaftoi edhe një koncert si ai i emisionit “E diell” në Topchanel, (15 shkurt 2026), me 120 pjesëmarrësit e ardhur nga Shqipëria, Kosova, Italia, Norvegjia e më gjerë, për të parë se sa vital mbetet folklori çam, kryeveprat artistike të Çamërisë, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kombëtare jomateriale dhe shquhen për vlera të rralla estetike. Këngët dhe vallet çame erdhën para publikut me gjithë elementët stilizues, duke ruajtur të paprekur melodinë burimore, intonacionet kombëtare me fizionomi të qartë e të dallueshme nga trevat e tjera.
Një përfaqësim dinjitoz dhe shumë profesional i këngës dhe valles Çame, i dokeve dhe zakoneve, i etnografisë, i etnokulturës në tërësi i transmetuar në breza.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, Bashkia Konispol, Ansambli “Krahu i Shqiponjes, Taip Madani” Vlorë, Vëllezerit Çam të Vlorës, Ansambli Amantia, Enkelejda Alushi (Arifi), Luziana Tahiri, Edmond Muho , Hysni Alushi, Altin Malo, Gezim Kaso, Maldin Avduli, Roland Latifi, u bënë pjesë e “Gurrës çame”. Këta artistë të mëdhenj, që kënduan e kërcyen valle, kanë hodhur themelet e një tradite artistike, e cila përbën në vetvete një pasuri të çmuar në kulturën shpirtërore të popullit tonë.
Bukuria, dëlirësia, thjeshtësia dhe dashuria tingëlluan të freskëta dhe të ngrohta, plot ngjyrë dhe tinguj, duke na kujtuar se ç’forcë krijuese ka populli çam, me traditë të lashtë muzikore dhe me botë të pasur shpirtërore. Ky koncert tregoi edhe një herë afirmimin në rritje të identitetit kulturor të Çamërisë, vlerat e mëdha muzikore dhe etnografike të artit shqiptar të kësaj treve, me këngë e valle, që kanë qenë e mbeten të famshme, dhe që nuk janë prekur nga rreziku i zhdukjes apo i tjetërsimit kulturor.
Fondacioni Çamëria i kushton një rëndësi të madhe ringjalljes së traditave, duke pasur tre synime: regjistrimin, ringjalljen dhe përhapjen gjerësisht të kulturës tradicionale çame.
Folklori çam vjen nga një e kaluar heroike, e kaluar e pastër, autentike, thotë drejtuesi i fondacionit, Alket Veliu. Edhe në momentin që kjo e kaluar bie në kontakt me të tashmen, ajo nuk “kontaminohet”, nuk e humb autenticitetin e saj, origjinalitetin dhe vlerën e mirëfilltë.
Prandaj Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” mbështet idenë se folklori duhet të ruhet, të konservohet, t’i japim mundësinë të mbijetojë, si lëndë burimore kombëtare. Folklori çam vazhdon të jetë i gjallë edhe në botën moderne dhe përcillet, jo vetëm verbalisht, por edhe me internet. Ai prodhohet aty ku janë çamët, ku janë këngëtarët dhe valltarët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. Terreni ku jetojnë çamët e shpërngulur në Shqipëri, si në Vlorë, Sarandë, Fier, Durrës, Elbasan, Tiranë etj, vazhdon të jetë produktiv. Ndaj, e themi me bindje se folklori çam nuk humbet, as nuk vdes; ai është dhe do të jetë mes nesh, në formën e tij burimore, ndaj duhet të vazhdojmë ta përcjellim kudo që të jetë ai.
Jam i mendimit se teknologjia nuk e zhduk dot folklorin tonë të kristalizuar brez pas brezi, përkundrazi, ajo është një faktor vital në transmetimin e tij, duke u bërë kështu një burim ekzistues për inspirimin e gjeneratave të reja që të krijojnë folklor.
Grupet folklorike si Ansambli “Krahu i Shqiponjes “Taip Madani” në Vlorë, apo Grupi i Bashkisë Konispol, vazhdojnë të cilësohen si vlera të folklorit të mirëfilltë në festivalet folklorike, ku këto grupe shfaqen me veshje, kostumet karakteristike, instrumente, këngë dhe performansa popullore, të bartura direkt nga Çamëria. Kënga popullore çame, si pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, ka mbetur e pastër plot vlera estetike, sikundër e kanë krijuar mjeshtrit popullorë.
Drejtuesit artistikë nuk kanë lejuar kurrsesi mohimin e traditës folklorike dhe i lidhjet e saj gjenetike e strukturore me folklorin tradicional. Këngët, vallet, performancat dhe format e tjera krijuese, vijnë si pasojë e një nevoje shprehëse për të ndarë me të tjerët një emocion, një situatë rrëfimore, që pasqyron botën e brendshme të popullsisë çame. Folklori çam ka një veçori të rrallë, sepse pak kultura në botë e kanë të mundshme t’i kenë aktivë tre brezat njëkohësisht dhe të kenë mundësinë t’i përcjellin fazat evolutive të këngës apo valles. Një kontribut të çmuar për lëvrimin dhe kultivimin e saj kanë dhënë mjaft këngëtarë, valltarë e kompozitorë të njohur si: Refat Sulejmani, Shaban Zeneli, Mifarete Laze, Enkelejda Alushi, Hysni Alushi, Altin Malo, Gëzim Kaso etj, valltarë si Taip Madani e Puen Bajrami, kompozitorë si Edi Balili, Edmond Zhulali, Sokol Marsi, drejtues artistik si Sali Nuredini, Elidon Brahimi, Vangjel Taho etj. /GD




