Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga David Amaglobeli, do të vizitojë Kosovën nga 3 deri më 13 shkurt 2026, në kuadër të konsultimeve vjetore sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së.
Lajmi është bërë i ditur nga Sebastian Sosa, Përfaqësuesi Rajonal i Përhershëm i FMN-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka theksuar se qëllimi i misionit është vlerësimi i zhvillimeve të fundit makroekonomike në vend, shqyrtimi i perspektivave ekonomike dhe identifikimi i rreziqeve potenciale.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ekipi i FMN-së do të zhvillojë takime me autoritetet shtetërore dhe aktorë të tjerë kyç për të diskutuar politikat ekonomike, prioritetet e reformave dhe sfidat me të cilat përballet ekonomia e vendit. Misioni gjithashtu planifikon të publikojë një komunikatë për shtyp dhe të mbajë një konferencë për media në përfundim të vizitës.
Sipas FMN-së, konsultimet e Nenit IV zhvillohen zakonisht çdo vit dhe përfshijnë mbledhjen e të dhënave ekonomike dhe financiare, si dhe dialogun me institucionet vendore mbi politikat fiskale, monetare dhe strukturore. Pas përfundimit të vizitës, stafi i FMN-së përgatit një raport, i cili shërben si bazë për diskutim në Bordin Ekzekutiv të FMN-së.
Këto konsultime konsiderohen një mekanizëm i rëndësishëm për monitorimin e stabilitetit ekonomik dhe për ofrimin e rekomandimeve që synojnë rritjen e qëndrueshme dhe forcimin e rezistencës ekonomike të vendit, transmeton rtk.




