Saime Isufi, anëtare e Kryesisë së LAPSH-it qendror dhe Kryetare e LAPSH-it kantonal Bernë
Në prag të festave të fundvitit, me disa shoqe, u takuam për të marrë pjesë në një koncert operistik në Neuchâtel, një qytet i njohur për jetën e tij studentore dhe kulturore. Mbrëmja u shndërrua në një përjetim të veçantë artistik dhe kulturor, ku muzika klasike u ndërthur bukur me traditën dhe identitetin shqiptar.

Koncerti u hap në mënyrë madhështore nga nxënësit e Shkollës Shqipe të La Chaux-de-Fonds-it, të veshur me kostume kombëtare, të cilët interpretuan valle tradicionale shqiptare, duke përcjellë emocion dhe krenari kombëtare tek publiku i pranishëm.
Më pas, publiku pati kënaqësinë të shijojë interpretimin e stërnipit të Skënderbeut, tenorit Alesandro Castriota Scanderbeg dhe sopranos Teuta Nicolet, së bashku me pianisten e mirënjohur Edlira Dedja. Programi artistik nisi me këngën simbol të shpirtit shqiptar “Moj e bukura More” dhe vijoi me disa pjesë të përzgjedhura të muzikës klasike, përfshirë edhe fragmente nga opera “La Traviata”, të interpretuara me profesionalizëm dhe ndjeshmëri të lartë artistike.
Në përmbyllje, “Moj e bukura More” u interpretua sërish, këtë herë me pjesëmarrjen e publikut, duke e kthyer mbrëmjen në një moment të veçantë bashkimi dhe përjetimi kulturor. Kjo mbrëmje dëshmoi edhe një herë se muzika dhe tradita janë ura të fuqishme që ruajnë dhe forcojnë identitetin kombëtar shqiptar, edhe larg atdheut.
HelveticALforum.ch




