-0.4 C
Zurich
Friday, November 21, 2025
spot_img
spot_img

Flas me shpirtin

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI, Zvicër

Edhe pse nuk jam aty mes jush, fizikisht larg,

e di se afërsia nuk matet në hapa,

por në mënyrën se si dy zemra e njohin njëra-tjetrën.

Njeriu s’është aty ku rri,

por aty ku e dëgjojnë, e kujtojnë dhe e ndjejnë.

Në tavolinën tuaj ka një vend bosh,

por boshësia nuk është mungesë —

është kujtesë, është hapësira ku rri shpirti im.

Karrigia e zbrazët flet më shumë se zhurmat e qytetit,

sepse aty ku s’ka trup, ka kuptim,

dhe aty ku s’ka zë, flet zemra.

Kur ju prek drita e natës,

kujtoni se çdo dritë lind prej errësirës,

ashtu si buzëqeshja lind prej kujtimit,

dhe miqësia prej përjetimit.

Asgjë nuk humbet,

as kur sytë nuk shohin,

as kur duart nuk prekin —

sepse shpirtrat kanë gjuhën e tyre.

Unë jam aty, mes jush,

si një frymë që nuk kërkon vend,

si një rrahje zemre që nuk kërkon zë.

Në çdo gotë që troket,

ka një urim timin,

në çdo qeshje një jehonë,

në çdo fotografi një dëshmi

që miqësia nuk ka nevojë të flasë për të jetuar —

mjafton të jetë.

Doki, Xhavit dhe Vellavushi Jeton —

Me ju në kujtime në çdo grimë drite që e përshkon natën.

Ju aty në Dardani, në trungun e trungut,

aty ku guri flet, ku ajri njeh emra,

ku edhe hapat kanë kujtesë.

E unë në Zvicër,

në tokën ku dikur endnin mendime atdhetarie nga Aleksandër Moisiu, Noli e Çajupi, Agim Ramadani, Llukman Halili, Lan Avdiu, Bexhet Sallahu, Jahi Aliu, Agron Bajrami, Astrit Leka, Agim Doçi e shumë të tjerë,

në tokën që u duk e huaj,

por u bë strehë për shpirtin shqiptar kur bota u bë e ngushtë.

Këtu flas me shpirt,

sepse prej këtu flasin 400 mijë zemra shqiptare,

të cilat ditën punojnë në heshtje

e natën flenë me ëndrra të atdheut nën jastëk.

Ne jemi si dy brigje të së njëjtës lumë:

ju në vendin ku rrjedh kujtesa,

e unë në vendin ku rrjedh mërgimi.

Por lumi është i njëjtë,

edhe kur ndan, ai bashkon.

Këto vargje nuk i shkruan dora,

i shkruan malli që është më i vjetër se unë,

më i thellë se deti,

më i qetë se maja e Sharrit,

më i fortë se çdo largësi.

Unë flas me shpirt, sepse vetëm shpirti nuk gënjen.

Dhe shpirti e di se të gjithë ne —

ju në Dardani,

ne në Zvicër,

ata që jetuan, ata që shkuan,

ata që presin, ata që kujtojnë

jemi një fishkëllimë e të njëjtës erë.

E nëse bijmë për të fjetur larg,

zgjohen brenda nesh ëndrrat që flasin shqip.

Këto vargje i përgatita

Për ju vëllezër Xhavit e Jeton

me mallin që nuk shuhet,

me rrënjën që nuk këputet,

me shpirtin që e njeh adresën e vet edhe kur është larg.

Nëntor, 2025

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit