1 C
Zurich
Wednesday, February 4, 2026
spot_img
spot_img

FLAMURI I SKËNDERBEUT

Duhet ti lexosh

Nga Shpendi Topollaj

Me rastin e 582 vjetorit – Nuk besoj se ka shqiptar që të mos ketë njohuritë e duhura për veprën e pavdekshme të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti, Skënderbeut. Gati 25 vjet rezistencë dhe fitore ndaj fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë turke, jo vetëm që i dhanë lavdi historisë tonë kombëtare, por i bënë një shërbim të madh edhe vetë qytetërimit dhe krishterimit evropian, aq sa mendja më e fuqishme, Voltaire ta quante heroin më të madh të kohës.

Por janë edhe disa ngjarje të tjera që e bëjnë Skënderbeun si figurën më të ndritur të të gjitha kohrave, si 28 Nëntori i vitit 1443 dhe 2 Marsi i vitit 1444, ku repsektivisht, ai ngriti flamurin tonë në Krujë dhe bashkoi princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës.

- Advertisement -

Babai i tij, Gjon Kastrioti, i mbetur pa përkrahje, si nga jashtë, ashtu dhe nga brenda për shkak të përçarjes, u detyrua të bëjë një marrëveshje me turqit dhe në këtë kuadër, dërgoi te sulltan Mahmeti I – rë, katër djemtë e tij, Reposhin, Stanishin, Kostandinin dhe më të voglin, Gjergjin. Ishte viti 1413 dhe duke qenë peng në Adrianopojë, nën kujdesin e Selimesë dhe interesimin e vetë sulltanit, u rrit dhe u edukua heroi ynë i ardhshëm.

Ai u kulturua nga mësues të shquar shqiptarë dhe turq, mësoi gjashtë gjuhë të huaja, mori njohuritë e nevojshme për historinë, gjeografinë, matematikën, oratorinë dhe sidomos për artin e luftimit. Vetë i kushtoi një rëndësi të veçantë kalitjes së tij fizike dhe u dallua në të gjitha demonstrimet dhe luftimet që zhvilloi qysh nga mosha 16 vjeçare në Azinë e Vogël. I mençur, i thjeshtë, i dashur dhe i drejtë, ai fitoi zemrat e të gjithë atyre që i qenë besuar për t`i komanduar.

Qenë cilësitë e tij të rralla, ku spikaste trimëria, guximi dhe inisiativa, si dhe fitoret e një pas njëshme, arsyet përse sulltan Murati e mbiquajti Skënderbe. Kur Gjon Kastrioti vdiq më 1432, sulltani dërgoi në Krujë Sevali Pashën dhe jo një nga Kastriotët, sikurse kishte premtuar.

- Advertisement -

Duke parë këtë, egërsinë dhe plaçkitjen që ky po u bënte shqiptarëve, pakënaqësinë që ata kishin ndaj pushtuesve, por edhe qëndrimin kriminal ndaj tre vëllezërve të tij, te Skënderbeu u zgjua shpirti i revoltës dhe atdhedashurisë, prandaj ai la ndeshjen me Janosh Huniadin dhe në krye të një grushti shqiptarësh, pasi ndaloi në Dibër, ku shpalli se tani e tutje kishte si qëllim të shpëtonte vendin e tij të lindjes, e mbajti vrapin në Krujë, ku ju paraqit Pashait turk me fermanin e sulltanit, shkruar nga myhyrdari Reis efendi, që qyteti t`i dorëzohej atij.

Ishte 28 Nëntori i vitit 1443 kur ai, në moshën 37 vjeçare, ngriti për t`u valëvitur në përjetësi madhështor e plot dinjitet, flamurin tonë kombëtar, çka gëzoi e frymëzoi të madh e të vogël. Me atë Flamur në krye, “Mbreti i Epirit dhe Arbërisë” sikurse njihej dhe kishte zgjedhur të quhej, edhe ushtria shqiptare e komanduar prej tij, shkroi faqe të tëra lavdie, duke korrur fitore ndaj ushtrive prej 150 mijë ushtarësh të Muratit të II – të dhe asaj prej 200.000 ushtarësh të Mehmetit të II – të, pa folur për fitoret e Italisë, çka bënë që vetë Papa Piu II – të, ta priste me nderimet më të mëdha dhe mbarë bota, ta vlerësonte si një nga kapedanët më të mëdhenj të historisë, duke e quajtur heroin më të madh të kohës tonë. Për Skënderbeun janë shkruar pa fund libra, janë bërë piktura, janë gdhendur skulptura dhe u është dhënë emri shesheve të qyteteve të ndryshme këtu dhe nëpër botë.

Ka gjithashtu edhe krijime muzikore kushtuar madhështisë së tij, ku ajo më e rëndësishmja është opera me tri akte “Scanderbeg” në italisht nga kompozitori virtuoz Antonio Lucio Vivaldi, me libret të Antonio Salvit e cila u dha si premierë në 22 qershor 1718 në Teatro della Pergola në Firenze. Por ai ka hyrë thellë në mendjet dhe zemrat tona, dhe vepra e tij e ngritjes së Flamurit kombëtar në Krujë, do të kujtohet në jetë të jetëve, qysh kurse atë ditë të shenjtë, e zgjodhi Plaku i Vlorës Ismail Qemali, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912. /GD

- Advertisement -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme