
Nga Dashnim HEBIBI
Poetja dhe bamirësja e njohur shqiptare që jeton dhe vepron në Zvicër, znj. Shqiponja Vrajolli, do të jetë e pranishme në manifestimin kulturor që do të mbahet të shtunën, më 17 janar 2026, në Langenthal të Zvicrës. Znj. Shqiponja Vrajolli me bashkëshortin e saj, Abdyl Zahiri, pronar i firmës AfZ-ICT janë të njohur gjerësisht në komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë jo vetëm për angazhimin e tyre profesional, por edhe për kontributin e çmuar në art, kulturë dhe bamirësi, duke qenë përkrahës të vazhdueshëm të iniciativave që promovojnë vlerat kombëtare dhe solidaritetin shoqëror.
Siç ka mësuar helveticALforum, znj. Vrajolli do të lexojë një vlerësim kritik letrar për dy libra që do të promovohen gjatë mbrëmjes. Njëri prej librave tashmë është i njohur për publikun, ndërsa libri i dytë do të mbetet surprizë deri në ditën e manifestimit, duke iu kushtuar një personaliteti të veçantë. Mbrëmja e veçantë kulturore do të mbahet në ambientet Alte Mühle, dhe do të fillojë në ora 19:00 me apero, ndërsa programi zyrtar nga ora 19:30. Në qendër të vëmendjes do të jetë promovimi i librit më të ri “Udhëtim drejt rrënjëve”, si dhe një program nderimi dhe reflektimi kulturor.
Ky manifestim po shndërrohet tashmë në një ngjarje tradicionale kulturore, e cila organizohet posaçërisht në kuadër të Flakës së Janarit, një simbol i qëndresës, sakrificës dhe kujtesës kombëtare shqiptare. Flaka e Janarit përkujton figurat dhe veprën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, duke u shndërruar ndër vite në një thirrje për reflektim, unitet dhe vazhdimësi kulturore, veçanërisht në diasporë.

Foto nga Daut Luboja
Ngjarja do të shoqërohet edhe me një moment solemn simbolik surprizë, si dhe me një pjesë të përzgjedhur kulturo-artistike, të realizuar me kujdes dhe përkushtim. Me pjesëmarrjen e tyre do ta nderojnë këtë mbrëmje personalitete të njohura të jetës kulturore, publike dhe shoqërore, ndër ta: Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Bej Vlorës, Arsim Mulliqaj, publicist i mirënjohur, Mehmet Ballazhi, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, Shaban Tërstena, legjendë e sportit të mundjes, autorët e librave, artistë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në diasporë. Librat, me nga 400 dhe 600 faqe, janë botuar nga shtëpia botuese “Libri im” nga Peja, me editor Berat Thaçi dhe redaktor teknik Xhavit Thaçi.

Në kuadër të kësaj mbrëmjeje, Instituti Helvetik Shkencor i Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih, do të ndajë edhe çmimin “Ikona e Diasporës”, një vlerësim simbolik për kontributin e veçantë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe kombëtare shqiptare në diasporë. Prania e Shqiponja Vrajollit vlerësohet lart nga organizatorët dhe të pranishmit, pasi ajo, përveçse poete e afirmuar, është edhe kritike letrare dhe e angazhuar në institucione kulturore në Zvicër, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm në jetën kulturore shqiptare jashtë atdheut.

Adresa:
Alte Mühle, Mühleweg 23 4900 Langenthal, Zvicër
Info: 078 240 50 00 Mirë se vini!




