Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit mes RTSH-së dhe RAI-t, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.
Marrëveshja u nënshkrua këtë të premte (6 shkurt), në ambientet e RAI në Romë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy transmetuesve publikë.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ku ajo thekson se ky partneritet krijon mundësi konkrete për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit për stafet, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.
Një element i rëndësishëm i marrëveshjes lidhet edhe me procesin e dixhitalizimit të arkivës së RTSH-së, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen dhe modernizimin e trashëgimisë audiovizive shqiptare.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, ky bashkëpunim përfaqëson një angazhim afatgjatë për rritjen e cilësisë, modernizimin dhe përafrimin me standardet europiane të medias publike, në shërbim të publikut shqiptar.
“Radio Televizioni Shqiptar vijon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike!
Sot, më 6 shkurt 2026, në ambientet e RAI në Romë, u firmos marrëveshja e bashkëpunimit mes Radio Televizionit Shqiptar dhe RAI, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në median publike.
Kjo marrëveshje krijon mundësi për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale, me synim rritjen e kapaciteteve të stafit dhe përmirësimin e standardeve profesionale. Një element i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi lidhet edhe me procesin e dixhitalizimit të arkivës së RTSH, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të RTSH tashmë për ruajtjen dhe modernizimin e trashëgimisë audiovizive.
Ky partneritet përfaqëson një angazhim afatgjatë për cilësi, modernizim dhe standarde europiane, në shërbim të publikut shqiptar”, shkruan Vasili, transmton rtsh.




