Pranë memorialit të Kishës së Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe u organizua një koncert festiv kushtuar pranimit të Lahutës në UNESCO dhe figurës së At’ Gjergj Fishtës, i njohur si “Homeri shqiptar”. Pikërisht në këtë kishë, në fillim të shekullit XX, Fishta shërbeu si famullitar i Hotit dhe shkroi e pagëzoi kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë”.
Në këtë mbrëmje u bashkuan rapsodë lahutarë dhe artistë nga të gjitha trevat e veriut, duke sjellë këngë epike që jehuan mes maleve dhe risollën në vëmendje një nga shtyllat më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Gjatë koncertit u ndërmor edhe një nismë publike drejtuar institucioneve shtetërore për shpalljen e vitit 2026 si “Viti i Lahutës”, iniciativë që u përkrah nga të pranishmit.
“Kemi përgatitur edhe një thirrje, që në kuadër të këtyre ditëve, pasi së shpejti do të hyjmë në vitin 2026, lidhet me kërkesën që do t’i drejtojmë Ministrisë së Kulturës që këtë vit ta shpallë ‘Viti i Lahutës’.”
Përveç artistëve dhe artëdashësve, në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe klerikë. /Marjo Gjini, transmeton rtsh.




