Athinë – Me rastin e festave të 7 dhe 8 Marsit, Shoqata “Vëllazërimi” në Athinë organizoi një aktivitet festiv ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, drejtues të shoqatave shqiptare në Greqi dhe anëtarë të komunitetit shqiptar. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe diplomatja e ngarkuar me çështjet e diasporës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Joneda Dodaj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Dodaj falënderoi kryetarin e Shoqatës “Vëllazërimi”, z. Niko Curri, për ftesën dhe organizimin e këtij aktiviteti. Ajo theksoi kontributin e rëndësishëm të grave dhe vajzave shqiptare në diasporë, duke i cilësuar ato si bartëse të vlerave familjare, kulturore dhe kombëtare, si dhe si faktor të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të shëndetshme.
Diplomatja vlerësoi gjithashtu rolin e veçantë të arsimtarëve dhe sidomos të mësuesve të gjuhës shqipe në Greqi, të cilët përmes punës së tyre kontribuojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të diasporës. Sipas saj, puna e tyre është thelbësore për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, traditave dhe identitetit kombëtar ndër breza.

Në përfundim të fjalës së saj, znj. Dodaj ftoi të pranishmit të marrin pjesë në Samitin e IV të Diasporës, i cili do të zhvillohet më 14–15 prill në Tiranë, duke e cilësuar këtë aktivitet si një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu Kryetari i Bashkisë së Delvinës, z. Besmir Veliu, Zëvendëskryetari i Bashkisë së Athinës, z. Panajotis-Paris Harlaftis, Sekretari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, z. Irfan Abazaj, aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar z. Anastas Murati, si dhe kryetarë të shoqatave të ndryshme shqiptare në Greqi, anëtarë dhe miq të Shoqatës “Vëllazërimi”.
Aktiviteti u përmbyll me një program kulturor ku performoi grupi polifonik “Vëllazërimi” dhe grupi i valleve të shoqatës, duke sjellë përmes këngës dhe valles një atmosferë festive dhe duke promovuar traditat e pasura të kulturës shqiptare në diasporë, transmeton Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, përcjell helveticALForum.ch




