Nga GËZIM MUÇOLLI
Mërgata jonë në Itali edhe këtë vit me kohë ka filluar përgatitjet për të shënuar me nderim të veçantë, arritjen e përvjetorit të 18-të të ditës së shpalljes së pavarsisë së Republikës së Kosovës.
Shoqatat e shumta shqiptare që veprojnë mirëfilltë në territorin italian, me aktivitetet e tyre të shumta kulturore me programe festive, krijuan një pasqyrë mjaft të mirë për mërgimtarët kosovarë të cilët sot krenohen me arritjet e shtetit më të ri që u shpall me 17 shkurt 2008 në Prishtinë.
Në regjionin Veneto në verilindje të Gadishullit Appenin ku është përqëndruar një pjesë e madhe e mërgatës sonë, festa qendrore me karakter edhe institucional u mbajt në Quinto di Treviso. Shoqata Kulturore “Shën Nëna Terezë” në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Milano, organizuan një tubim madhështor ku u nderua shteti i Kosovës. Bashkëpjesëmarrës në program ishin edhe tri shoqatat tjera: “Dardania” nga Montebelluna, “Bashkimi kombëtar” nga Bassano del Grappa dhe “Ardhmëria” nga Arzignano.
Konsullata e Republikës së Kosovës e përfaqësuar denjësisht nga diplomati i mirënjohur z. Diamant Kastrati ka qenë dhe vazhdon të mbetet përkrahësi kryesor i aktiviteteve shoqërore, kulturore dhe integruese duke u ndodhur gjithëmonë pranë kërkesave të mërgimtarëve tonë. Tashmë ka kaluar një vit e gjysmë nga hapja e Zyrës mobile konsullore të Kosovës në afërsi të Trevizos e cila ka mundësuar që shteti ynë të jetë pranë qytetarëve të vet dhe ti përgjigjet sfidave të kohës.
Edhe në procese integruese konsulli Kastrati ka qenë përherë aty me gatishmërinë e dhënjes së ndihmës institucionale me angazhim konkret dhe transparent. Pikë e rëndësishme që dëshmon raportet e mira midis Konsullatës, kryesisë së shoqatës “Shën Nëna Terezë” dhe autoriteteve lokale italiane është edhe projekti i përmbyllur me sukses i binjakëzimit të Komunës së Klinës nga Kosova dhe Komunës Quinto di Treviso.
Në sallën parrokiale të mbushur përplot me mysafirë, kryetari i Shoqatës së Quintos, z. Bajram Desku i përshëndeti të pranishmit me fjalë mirëseardhje plot kuptim dhe dëshmi për vlerat e sakrificës së luftës së Uçk-së dhe çmimin e lirisë së shtetit të Kosovës i cili në këtë 18 vjetor është më sovran dhe demokratik, si dhe i njohur nga mbi 120 shtete të botës. Ai përshëndeti të pranishmit duke filluar nga autoritetet diplomatike , pastaj ato komunale të prira nga kryetari i komunës z. Durigon Ivano si dhe delegacionin nga Klina të prirë nga kryetari Zenun Elezaj.
Bajram Desku në rolin e mikpritësit, përmendi me emër e mbiemër, duke vlerësuar lart edhe kontributin e madh e të vazhdueshëm të anëtarëve të shoqatës, mësuesve të shkollës shqipe, prindërve, pastaj afaristëve shqiptarë të cilët me kontribute vullnetare të bisneseve të tyre përkrahën çdo iniciativë dhe projekt të shoqatës, veprimtarët e shumtë të mirënjohur për angazhimin e tyre në promovimin dhe njohjen e çështjes kombëtare para dhe pas luftës si dhe artistët e mrekullueshëm që me këngë e valle burimore popullore pasuruan çdo manifestim dhe festë duke i dhënë ngjyra kombëtare.
I ftuar i radhës ishte Kryekonsulli i Republikës së Kosovës nga Milano, z. Diamant Kastrati i cili iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: Të nderuar zonja dhe zotërinj,vllezër e motra, bashkatdhetarë,shokë dhe miq italianë, Ju faleminderit që keni ardhur në festimin e 18 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës. Urime ky 18 vjetor dhe na priftë e mbara edhe për vitet tjera.
Ai pastaj foli për të kaluarën e lavdishme, të sotmen me programe zhvillimi dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës duke qenë plot bindje se Kosova do të ecë pandalshëm në rrugën e përparimit.
Festa e pavarsisë vazhdoi me përshëndetjet e rastit nga z.Durigon Stefano kryetar i Quinto di Treviso, Zenun Elezaj kryetar i Komunës së Klinës, Don Stefano Bressan famullitar i Quintos, si dhe Don Jeton Thaçi famullitar i kishës ” Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë.
Në sallën festive kishin ardhur edhe mysafirë të nderuar nga Kopri i Sllovenisë studiuesi i mirënjohur Prof. Peter Shtoka dhe kryetari Heset Ahmeti e Bashkim Ziba anëtar i kryesisë së shoqatës “Iliria”. Poashtu edhe delegacione të shoqatave dhe aktivistë të dalluar nga Padova, Bolzano, Vicenza, etj
Programi festiv vazhdoi me pjesën artistike me këngë e valle të përgatitura me kujdes nga fëmijët – nxënës të shkollave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe që kanë përmbushur tashmë mbi dy dekada jetë e veprimtari edukuese dhe arsimuese në Itali.
Vallja e nxënësve të Quinto di Treviso të prirë nga maestro Muamer Murtezani pasoi me “Vallen e Hamzë Jasharit” të luajtur mirë nga nxënësit e shkollës së “Dardanisë” nga Montebelluna dhe me “Vallen e Bilbilave” të nxënësve nga Bassano del Grappa.
Alina Hajrizaj nxënëse nga Bassano del Grappa recitoi monologun “Bijët e humbur” dhe pas saj filluan këngët e bukura me tematikë patriotike që i kënduan Kaltrina Haradini dhe Amira Graishta, e pas tyre rapsodët e mirënjohur Feim Graishta, Berat Krasniqi dhe Fahri Haradini shpalosën interpretime artistike folklorike burimore.
Festa vazhdoi nën përkujdesjen e artistit të madh të muzikës origjinale popullore shqiptare Gjin Shani i cili me këngët e tij i madhëron festat kombëtare.
Ritëm të zjarrtë plot gjallëri këtij programi artistik i dha artisti i ri tashmë i dëshmuar me sukseset e tij qysh nga mosha e re, me daulle maestro Drilon Bashota nga Treviso.
Pas përfundimit të pjesës zyrtare të manifestimit festiv kushtuar 18 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryesia e shoqatës “Shën Nëna Terezë” nga Quinto di Treviso në bashkëpunim me afaristët shqiptarë bashkëpuntorë të shoqatës dhe me Konsullatën në Milano shtruan darkë festive për mysafirët e nderuar dhe veprimtarët.
Vlen të përmendet edhe fakti që z.Ivano Durigon, kryetari i komunës Quinto di Treviso, i cili kishte ardhur në festën e Kosovës me bashkëpuntorët e tij: znj. Cristina Veneziano nënkryetare, këshilltari z. Mauro dal Zilio (ish-kryetari i Komunës) , këshilltari për urbanizëm z. Renzo Crozato,si dhe këshilltari nga radhët opozitës z. Luca Miglioranza, i gostiti me dhurata konsullin e përgjithshëm z.Diamant Kastrati dhe kryetarin e Klinës z.Zenun Elezaj, me pako me prodhime ushqimore origjinale bio identifikuese për zonën e Trevizos si dhe priftin Don Jeton Thaçi me një libër.
Edhe Don Stefano Bressan në fjalimin e tij foli për komunitetin shqiptar në Treviso e në veçanti për nxënësit e shkollës shqipe që mban aktivitetet e saj në sallat e famullisë në Quinto. Don Stefano tha se gjatë bisedës me Don Jetonin e Klinës, ajo që e ka mrekulluar ishte dëshmia se në Kosovë ka liri, mirëbesim dhe tolerancë ndërfetare saqë brenda farefisit ka kusherinj që i përkasin njërit ose tjetrit besim fetar.
Në kuadër të aktiviteteve festive, Don Jetoni bashkë me Don Stefano Bressan celebruan meshën në kishën e Shën Gjergjit në Quinto di Treviso, të mbushur plot me besimtarë.
Don Jetoni bashkë me delegacionin e Klinës: kryetari prof.Elezaj, nënkryetari z. Fadil Gashi, kryesuesi i Asamblesë komunale z. Enver Berisha dhe dy ndërmarrës të shquar nga kjo komunë: z. Sejdi Rraci dhe z. Kolë Prenaj, të shoqëruar nga Bajram Desku, Ramiz Gashi dhe Hetem Zogaj, vizituan qytetin e Venecias ku u takuan edhe me profesoreshën e nderuar Lucia Nadin e cila i shoqëroi ata duke iu spjeguar historinë e arbërve dhe gjurmët e Skënderbeut dhe flamurit shqiptar. Poashtu ajo u tregoi edhe për skulptorin me origjinë nga Shkodra, Paolo Campsa, i cili para më shumë se 500 vitesh realizoi dy skulptura të mrekullueshme në dru, të cilat ruhen dhe ekspozohen edhe sot: në Kishën e San Cassiano dhe në Kishën San Giorgio-s në Quinto di Treviso.
Në të njëjtin qytet në rrethana krejt ndryshe,pesë shekuj e gjysmë më vonë, komuniteti shqiptar i mirëintegruar në këtë pjesë të Italisë vendosi Shtatoren e Nënë Terezës, vepër e skulptorit të njohur shqiptar Agron Bytyqi, si simbol dashurie e krenarie që nëpërmjet universalitetit të figurës të shenjëtores shqiptare, dëshmon edhe harmoninë ndërfetare dhe respektin e shqiptarëve, për figurat që e nderojnë dhe identifikojnë kombin në botë./BS




