Gazetarja Anila Basha, anëtare e jurisë së Festivalit të Këngës në RTSH, ka vlerësuar organizimin, performancat artistike dhe atmosferën e krijuar gjatë dy netëve të këtij edicioni, duke theksuar se përzgjedhja e këngëve fituese nuk do të jetë aspak e lehtë.
Duke folur për moderatorët Andri Xhahu dhe Antonta Koçi në prapaskenë, Anila Basha nënvizoi se festivali përçon emocione të forta, të cilat ndihen edhe nga vetë juria.
“Festivali i ka të gjitha brenda. Ne nuk kuptojmë vetëm performancën e artistëve, por emocionin e gjithë festivalit në tërësi, i cili na përfshin edhe neve”, tha Basha.
Ajo pranoi se vendimmarrja do të jetë një sfidë për jurinë për të zgjedhur këngët finaliste.
“Do të jetë e vështirë për ne të marrim një vendim, sepse gjithmonë do të ketë një pjesë të lumtur dhe një pjesë të zhgënjyer. Por në thelb, deri tani kemi parë performanca të bukura, që na kanë dhënë emocione dhe kanë krijuar diskutime brenda jurisë”, tha Anila Basha.
Duke folur për përbërjen e jurisë, Basha theksoi se diversiteti profesional do të ndikojë në një vlerësim sa më të plotë të këngëve.
“Në juri kemi profesorë muzike, artistë, por edhe përfaqësues nga media. Kjo do të thotë se do të shohim të gjithë elementët e një kënge: interpretimin, tekstin, mesazhin dhe performancën. Kam përshtypjen që përzgjedhja nuk do të jetë aspak e thjeshtë”, shtoi ajo.
Ajo vlerësoi të gjithë punën e bërë për Festivalin e Këngës.
“Duhet falënderuar i gjithë stafi i RTSH-së që është impenjuar për festivalin. Skenografia është gjigante dhe të krijon idenë e madhështisë. Salsano dhe Arilena i shtojnë ëmbëlsinë kësaj ‘torte’ gjigante”, u shpreh ajo.
Anila Basha e cilësoi çiftin prezantues si interesant, ndërsa vlerësoi edhe reagimin e publikut.
“Janë një çift interesant. Publiku ka qenë i zjarrtë dhe as juria nuk ka qenë indiferente gjatë gjithë kësaj atmosfere”, tha ajo, transmeton rtsh.




