Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë priti në takim Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturie Vuçetaj, si dhe përfaqësuesit e organizatës Lëvizja FOL.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ngritja e Vetëdijes dhe Besimit të Qytetarëve në Institucionet e Drejtësisë”, i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe kishte për qëllim realizimin e panelit informues “FOL Hapur mbi Qasjen në Drejtësi” me studentët e Fakultetit Juridik.
Prodekani i Fakultetit Juridik, Prof. Mensur Morina, hapi takimin duke i uruar mirëseardhje panelistëve dhe duke theksuar rëndësinë e këtyre bashkëpunimeve për avancimin e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin profesional të studentëve dhe forcimin e lidhjes ndërmjet fakultetit dhe institucioneve të drejtësisë. Ai potencoi se ky aktivitet është plotësisht në harmoni me strategjinë e Fakultetit Juridik dhe UHZ-së, sidomos në fushën e bashkëpunimit me industrinë dhe institucionet publike.
Në fjalën e saj, Kryeprokurorja Vuçetaj prezantoi funksionimin e sistemit prokurorial, rolin dhe përgjegjësitë e prokurorëve, si dhe sfidat që lidhen me qasjen në drejtësi. Ajo theksoi se bashkëpunimi me Fakultetin Juridik të UHZ-së është shumë i frytshëm, duke vlerësuar lart angazhimin dhe performancën e studentëve gjatë praktikave në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Panelisti Prof. Orhan Çeku foli për rëndësinë e ndërthurjes së teorisë me praktikën dhe për kontributin që Klinika Juridike jep në përgatitjen profesionale të studentëve, përfshirë edhe klinikën reale, e cila u mundëson atyre të punojnë me raste konkrete nën monitorimin e profesionistëve të fushës.
Një fjalë rasti mbajti edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Nikçi, i cili inkurajoi studentët që të shfrytëzojnë çdo mundësi pjesëmarrjeje në aktivitete të tilla, pasi ato u ofrojnë përvojë, njohuri dhe perspektiva reale profesionale.
Ngjarja u përmbyll me një sesion pyetje – përgjigjesh, ku studentët patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me panelistët dhe të marrin sqarime mbi çështje të ndryshme që lidhen me qasjen në drejtësi dhe funksionimin e sistemit prokurorial, njofton UHZ, transmeton helveticALforum.ch
#uhz#fakultetijuridik#peja#drejtësi#prokuroria#folhapur#bashkëpunim#studentë#arsimi#klinikaJuridike#qasjanedrejtësi#eubacking




