Në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë u promovua libri i fundit i studiuesit të njohur Vehbi Miftari, “Etnoletra Shqipe – Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Toena (2025). Vepra sjell një qasje ndërdisiplinore, duke bashkuar etnologjinë, letërsinë dhe studimet kulturore, për të ofruar një lexim të ri dhe të thellë të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Libri analizon raportin mes letërsisë shqipe dhe etnokulturës, duke e konsideruar tekstin letrar si bartës të kujtesës kulturore dhe identitetit kombëtar. Gjatë promovimit, diskutimet theksuan rëndësinë e letërsisë në formësimin e vetëdijes kulturore të shqiptarëve dhe rolin e saj në lidhjen e traditës me sfidat e modernitetit.

Vehbi Miftari, doktor shkence, poet dhe studiues i njohur i letërsisë, autor i mbi njëzet librave dhe njohës i pesë gjuhëve, shquhet edhe për karrierën diplomatike si ambasador në Misionin e Posaçëm në Vatikan. Të pranishmit vlerësuan veprën si një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve humanistike dhe si një nxitje për reflektim mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
“Etnoletra Shqipe” nuk është vetëm një libër studimor; ajo është një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes, duke rikthyer në qendër të vëmendjes rolin jetik të letërsisë në ruajtjen e identitetit kombëtar, transmeton rtk, përcjell helveticALforum.ch




