Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka bërë të ditur se takimi me homologun e saj kroat, ministri i Punëve të Jashtme dhe Europiane, Gordan Grlić Radman synon ta çojë bashkëpunimin midis dy vendeve në një nivel të ri institucional.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Spiropali shkruan se ky nivel i ri institucional mes Kroacisë dhe Shqipërisë nis me përgatitjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare, mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve.
Ajo thekson se me homologun e saj kroat ka diskutuar për prioritetet e konektivitetit në rajon, “ku rëndësi e veçantë iu kushtua ndërlidhjes në infrastrukturë dhe energji, si dhe bashkëpunimit në siguri përmes marrëveshjes trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë”.
Spiropali vuri në dukje se Kroacia mbështet fort ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me Bashkimin Evropian dhe “përparimi i Shqipërisë është një shembull tipik i meritës në rrugën drejt integrimit evropian”.
“Pritja nga kolegu dhe miku, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Europiane, Gordan Grlić Radman, për ta çuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona në një nivel të ri institucional, duke nisur me përgatitjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare, mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve.
Diskutuam për prioritetet e konektivitetit në rajon, ku rëndësi e veçantë iu kushtua ndërlidhjes në infrastrukturë dhe energji, si dhe bashkëpunimit në siguri përmes marrëveshjes trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë. Kroacia mbështet fort ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me BE dhe përparimi i Shqipërisë është një shembull tipik i meritës në rrugën drejt integrimit evropian”, shkruan Spiropali, transmeton rtsh.




