Në një atmosferë të mbushur me përkushtim dhe përshpirtëri besimtarët e Misionit Katolik Shqiptar në Luzern kremtuan të Enjten e Madhe, një nga ditët më domethënëse të kalendarit liturgjik. Kjo festë e shenjtë përkujton themelimin e Eukaristisë dhe aktin e përvujtërisë së Jezusit në larjen e këmbëve të apostujve.
Gjatë meshës solemne, u zhvillua edhe riti simbolik i larjes së këmbëve të 12 burrave, një gjest që mishëron dashurinë, shërbimin dhe përvujtërinë e Krishtit ndaj nxënësve të Tij. Ky moment i veçantë preku thellë të pranishmit dhe i ftoi ata në reflektim mbi thirrjen për të shërbyer njëri-tjetrin me zemër të hapur.
Në predikimin e tij, Don Antoni theksoi rëndësinë e përvujtërisë dhe shërbimit si virtyte themelore të jetës së krishterë. Ai kujtoi se Jezusi, përmes këtij gjesti të thjeshtë por të fuqishëm, u la një shembull të gjallë apostujve dhe gjithë besimtarëve: të duam dhe të shërbejmë pa kushte, pa kërkuar lavdi apo shpërblim.
Pas meshës, bashkësia u bashkua në një darkë të përbashkët, e cila u përgatit me shumë përkushtim dhe shije nga Engjëll Marku dhe motër Vida Ademi, të cilët i falënderojmë përzemërsisht. Kjo tryezë e përbashkët nuk ishte vetëm një moment bashkimi dhe gëzimi, por edhe një vazhdim i frymës së shërbimit dhe dashurisë vëllazërore që karakterizoi të gjithë kremtimin.
E Enjtja e Madhe në Luzern u shndërrua kështu në një dëshmi të gjallë të besimit, bashkimit dhe përkushtimit të Misionit, duke rikujtuar për secilin rëndësinë e jetës në shërbim dhe përvujtëri, sipas shembullit të Krishtit, njofton Misioni Katolik Shqiptarë në Luzern, përcjell helveticALForum.ch
Foto: Nue Tuqi, Kastriot Frrokaj & Gaspër Merturi




