Hotelet në Durrës janë bërë gati për festat e fundvitit. Shumë persona kanë prenotuar për të kaluar natën e Krishtlindjes, si edhe ndërrimin e viteve. Por këtë vit duket se gjithnjë e më shumë të huaj kanë zgjedhur Durrësin për t’i kaluar këto festa.
Menaxheri Blerim Norja thotë se hoteli në zonën e plazhit është i zënë në masën 90 për qind deri më tani. Ai tregon edhe çfarë është përgatitur për turistët.
“Hoteli ynë ka përgatitur dy oferta. Në ofertën e Krishtlindjeve jemi plotësisht të rezervuar, ku pjesa më e madhe janë qytetarë nga Durrësi ose Tirana. Risia këtë vit është se në paketën e Vitit të Ri, 90 për qind e rezervimeve janë nga shtetas të huaj”, tha Norja.
Pavarësisht se në këtë periudhë të vitit ka një rënie të lehtë të numrit të turistëve të huaj, në fillim të pranverës pritet ardhja e grupeve turistike nga Austria.
“Unë mendoj se ajo që i tërheq është tradita shqiptare. Viti i Ri në Shqipëri ka një karakteristikë të veçantë: mënyra e përgatitjes së ushqimeve dhe forma e festimit janë unike. Është 100 për qind traditë, me kërcime shqiptare dhe gatime tradicionale.”
Tashmë Durrësi është kthyer në një destinacion turistik për vizitorë nga pothuajse e gjithë bota. Kulinaria, traditat dhe mikpritja janë elementët që të huajt vlerësojnë më së shumti në vendin tonë, transmeton gtema.




