0.8 C
Zurich
Wednesday, December 24, 2025
spot_img
spot_img

Don Marjan Marku, kanoniku i parë shqiptar në St. Gallen, flet për Krishtlindjen dhe paqen

Duhet ti lexosh

Intervistoi Dashnim HEBIBI, Zvicër

Intervistë ekskluzive me Don Marjan Markun – Prifti i parë shqiptar kanonik në Kapitullin e Katedrales së Ipeshkvisë së St. Gallen-it në Zvicër

Në prag të Krishtlindjes, festës së dritës, paqes dhe shpresës, kemi nderin të bisedojmë me Don Marjan Markun, kanonikun e parë shqiptar në Kapitullin e Katedrales së Ipeshkvisë së St. Gallen-it në Zvicër dhe priftin e parë jo zviceran që mban këtë detyrë të lartë kishtare. I lindur në Binçë të Vitisë dhe i formuar në traditën e thellë shpirtërore e kulturore shqiptare, Don Marjani përfaqëson një figurë që ndërthur besimin, përulësinë dhe shërbimin ndaj njeriut, pa dallim feje apo kombësie. Në këtë bisedë krishtlindore, ai ndan reflektime të thella mbi kuptimin e lindjes së Krishtit, paqen si dhuratë hyjnore, bashkimin familjar dhe vlerat që i mbajnë shqiptarët të lidhur ndër shekuj, duke na ftuar që Krishtlindja të mos mbetet vetëm një datë kalendarike, por një ngjarje që ndodh brenda zemrave tona.

Don Marjan Marku, i lindur në fshatin Binçë, Komuna e Vitisë, është prifti i parë kanonik jo zviceran i zgjedhur në Kapitullin e Katedrales së Ipeshkvisë së St. Gallen-it në Zvicër, si dhe kleriku i parë shqiptar që mban këtë pozitë. Prejardhja e tij nga një familje martire e Kishës Katolike dhe edukata e fortë familjare e kanë çuar natyrshëm në shërbim të Hyjit dhe të njerëzve. Ipeshkvia e St. Gallen-it është një nga vetëm dy ipeshkvi të tilla në botë, ku kanonikët janë këshilltarë që gëzojnë edhe privilegjin për ta zgjedhur vetë ipeshkvin, ngjashëm me zgjedhjen e Papës nga kardinalët. Ruajtja e riteve dhe normave klerikale është pjesë thelbësore e identitetit të kësaj dioqeze.

Ipeshkvia ku Don Marjani shërben si kanonik ndodhet në qytetin St. Gallen, në pjesën lindore të Zvicrës, rreth 90 kilometra larg Cyrihut. Qyteti e ka marrë emrin nga misionari kelt Shën Galli, i cili në shekullin e shtatë ndërtoi aty një strehë lutjeje për eremitët, prej nga edhe nisi zhvillimi i vendbanimit.

Don Marjan Marku ka kryer studimet teologjike në Sarajevë dhe më pas ka vazhduar studimet pasuniversitare, duke fituar gradën shkencore të magjistraturës me një punim kushtuar Shën Niketës, Ipeshkvit të Remesianës, i njohur ndër shqiptarë si Shën Niketë Dardani (340–420). Remesiana e atëhershme quhet sot Bela Palanka dhe ndodhet rreth 40 kilometra larg Nishit, në drejtim të Bullgarisë. Ai është zgjedhur kanonik në vitin 2019. Kanonikët në Ipeshkvinë e St. Gallen-it, përveç shërbesave baritore, kanë privilegjin e jashtëzakonshëm të këshillimit dhe të zgjedhjes së Ipeshkvit. Kjo ipeshkvi përfshin gjithsej 142 famulli.

I nderuar z. Marku, kam nderin dhe kënaqësinë që po bisedojmë me ju në prag të festës së Krishtlindjes. Ju kemi zgjedhur për shumë arsye, ndër të cilat më e rëndësishmja është modestia juaj, atdhetaria, fjalëpakësia dhe veprat e mëdha që flasin vetë. Dëshiroj t’ua rikujtoj lexuesve tanë se Don Marjan Marku mban raporte të shëndosha vëllazërore me të gjithë shqiptarët, nga çdo cep i Shqipërisë etnike. Ai është personaliteti që, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kishte ftuar edhe Presidenten e Zvicrës për të kremtuar këtë festë të madhe kombëtare së bashku me miqtë zviceranë. Urime festën, i nderuar! Ju priftë
e mbara dhe qofshi pjesëmarrës i shumë festave të tjera!


Faleminderit shumë për urimin e festës së Krishtlindjes. Po ashtu, të gjithë atyre që e festojnë Krishtlindjen, u uroj urime të përzemërta! Krishti, me ardhjen e Tij në botën tonë njerëzore, ka sjellë paqen dhe dashurinë. Ai qoftë burim paqeje dhe dashurie në zemrën e çdo shqiptari dhe të çdo njeriu në mbarë botën.

Pas Pashkëve, Krishtlindja është festa më e rëndësishme për të krishterët. Si ju ka gjetur kjo Krishtlindje ju personalisht dhe si e ka gjetur botën e krishterë?


Një ndër dhuratat më të mëdha të lindjes së Jezu Krishtit është paqja dhe, për këtë arsye, në lindjen e Tij këndonte një ushtri e madhe engjëjsh qiellorë: «Lavdi i qoftë Hyjit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që Ai i ka për zemër» (Lk 2,14). Fatkeqësisht, në kohën e sotme po përballemi me shumë pasiguri dhe urrejtje në botë. Po ashtu, në disa vende ka luftë dhe paqëndrueshmëri, si në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Siri e gjetkë. Dhashtë Zoti që në vitin e ardhshëm të mbretërojnë paqja dhe dashuria ndër njerëz dhe në mbarë botën. Kjo do të ishte porosia, apo dhurata më e madhe, e lindjes së Jezu Krishtit – pra, e Krishtlindjes.


Na thoni sinqerisht: nga kush prisni urimin e parë për këtë Krishtlindje?

Janë shumë njerëz që ma urojnë festën e Krishtlindjes dhe shpeshherë e kam të vështirë t’u përgjigjem të gjithëve. Ata janë vëllezërit e mi, anëtarët e familjes, besimtarët, si dhe shumë miq e dashamirës. Jam shumë i lumtur dhe i bekuar që marr kaq shumë urime, pa dallim feje apo gjuhe.

Keni raporte shumë të mira edhe me bashkëkombës të besimeve të tjera, sidomos me myslimanët. Në Zvicër, siç dihet, ka disa xhami dhe sipas burimeve tona raportet tuaja janë të shkëlqyera. Kjo është një pasuri e madhe e kombit tonë. Cili është komenti juaj?


Ne të gjithë jemi shqiptarë. Jemi vëllezër dhe motra. Kemi një gjuhë, një kulturë, një traditë dhe një histori, e cila shpeshherë ka qenë edhe e hidhur dhe e përgjakur, por gjithmonë kemi qenë bashkë. Kur jemi bashkë, jemi mirë me Zotin dhe kur jemi mirë me Zotin, atëherë jemi mirë edhe me njëri-tjetrin; jemi më të fortë. Prandaj duhet të jemi gjithmonë bashkë për të mirën e përbashkët, për të ardhmen tonë dhe për vlerat që na bashkojnë.


T’i kthehemi festës. Cili është programi juaj për Krishtlindje?

Në Krishtlindje kremtojmë lindjen e Jezu Krishtit, e cila ka ndodhur rreth 2025 vjet më parë. Për këtë festë kemi kremtime të posaçme, duke përkujtuar këtë ngjarje të madhe të historisë së shpëtimit. Lexohen tekste nga Shkrimi i Shenjtë, të cilat e tregojnë dhe e përshkruajnë ngjarjen e lindjes së Jezu Krishtit. Personalisht, për këtë festë kam katër shërbesa fetare: më 24 dhjetor, në mbrëmje, kremtoj dy meshë, ndërsa më 25 dhjetor kremtoj edhe dy të tjera.

Dita e Krishtlindjes shoqërohet me skenën e lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, bashkimin e familjes, si dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri. A dallon kjo festë nga mënyra se si kremtohet në atdhe?

Unë do t’i ndaja këto dy kremtime: Festën e Krishtlindjes dhe festën e Shën Kollit, dhe do t’i shpjegoja secilën veç e veç. Krishtlindja është festa në të cilën përkujtojmë lindjen e Jezu Krishtit dhe festohet më 25 dhjetor, ndërsa vigjilja apo nata e saj festohet më 24 dhjetor.

Kjo festë kremtohet sipas paraqitjes së saj në Shkrimin e Shenjtë: «Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara, duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, por engjëlli u tha: ‘Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit, ka lindur për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zot’» (Lk 2,8–11).

Kjo festë, pra, tregon lindjen e Jezu Krishtit dhe ardhjen e Shpëtimtarit për mbarë njerëzimin. Kjo është arsyeja e bashkimit të familjeve, e urimeve dhe e shkëmbimit të kartolinave. Në përgjithësi, paraqitet skena e Betlehemit, me lindjen e Jezu Krishtit në një grazhd, sepse për ta nuk kishte vend në bujtinë.

Në kisha, por edhe nëpër familje, ndërtohet stalla apo shpella e Betlehemit, duke paraqitur këtë ngjarje të shenjtë. Kjo stallë apo shpellë shërben si simbol vizual për thelbin e tregimit të Krishtlindjes. Në këtë paraqitje gjenden Maria, Jozefi, foshnja Jezus, barinjtë, tre mbretërit, disa kafshë, engjëjt dhe ylli i Betlehemit. Figura të stileve të ndryshme, të punuara në dru, metal, qelq apo qeramikë, e bëjnë këtë skenë edhe më të prekshme për besimtarët. Kjo traditë ka filluar me Shën Françeskun e Asizit, i cili për herë të parë realizoi një paraqitje të tillë në vitin 1223, në Greccio të Italisë. Qëllimi i tij ishte ta bënte
lindjen e Jezu Krishtit sa më të kuptueshme dhe sa më të afërt për njerëzit.

A është pema e Krishtlindjes një kristianizim i traditave pagane?

Pema e Krishtlindjes shpesh konsiderohet si një kristianizim i disa traditave pagane dhe si një ritual që lidhet me solsticin dimëror, ku përdorimi i drunjve gjithnjë të gjelbër ka pasur një domethënie të veçantë. Para se të bëhej simbol i Krishtlindjes, përdorimi i drunjve të gjelbër të përhershëm, siç është bredhi, ka qenë pjesë e rëndësishme e festave pagane. Këta drunj simbolizonin jetën, pjellorinë dhe ringjalljen në mes të dimrit të ftohtë. Në kultura të lashta, si ajo romake gjatë festës së Saturnalia-s, apo te popujt gjermanë gjatë festës së Yule-s, drunjtë e gjelbër përdoreshin për të zbukuruar shtëpitë dhe për të larguar shpirtrat e këqinj.

Pema e Krishtlindjes, siç njihet sot, filloi të përdoret në shekullin XVI në Gjermani. Besohet se Martin Luteri ishte ndër të parët që vendosi qirinj mbi një pemë të gjelbër, për të simbolizuar yjet në qiellin e natës mbi Betlehem. Familjet gjermane nisën të zbukuronin bredha të vegjël në shtëpitë e tyre me fruta, arra dhe qirinj.

Në shekullin XIX, pema e Krishtlindjes u bë popullore edhe në Angli, falë Mbretëreshës Viktoria dhe Princit Albert, i cili ishte me origjinë gjermane. Një ilustrim i familjes mbretërore pranë një peme të zbukuruar u botua në një gazetë dhe u kthye në trend. Emigrantët gjermanë e sollën këtë traditë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo u përhap shumë shpejt.


Simbolika e pemës së Krishtlindjes:


 Pema e gjelbër simbolizon jetën e përhershme dhe shpresën në mes të
errësirës dhe dimrit të ftohtë.
 Qirinjtë dhe dritat elektrike simbolizojnë Jezu Krishtin si «Dritën e Botës»,
që sjell shpresë dhe shpëtim për mbarë njerëzimin.
 Ylli në majë të pemës përfaqëson yllin e Betlehemit, i cili i udhëhoqi tre
mbretërit drejt lindjes së Krishtit.
 Topat dhe zbukurimet simbolizojnë frytet e jetës, bekimet dhe gëzimet që
sjell Krishtlindja.
 Dhuratat nën pemë përfaqësojnë dhuratën më të madhe që Zoti i bëri
njerëzimit në lindjen e Jezu Krishtit, si dhe aktin e dashurisë dhe bujarisë
ndaj të tjerëve.


Pema e Krishtlindjes është sot një simbol universal i kësaj feste në mbarë botën, si
për ata që e kremtojnë në mënyrë fetare, ashtu edhe për ata që e festojnë si traditë
kulturore. Ajo sjell ngrohtësi, bashkim familjar, gëzim dhe dashuri në familje dhe
ndër njerëz.

Buzmi – një traditë shqiptare e Krishtlindjes


Shqiptarët ruajnë edhe një traditë tjetër të lashtë, të njohur si buzmi, e cila ka ngjashmëri simbolike me pemën e Krishtlindjes. Buzmi është një trung ose copë druri që merret nga mali dhe digjet në vatër natën e Krishtlindjes, në prag të lindjes së Jezu Krishtit. Fjala buzëm rrjedh nga fjala «buzë» ose lidhet me kuptimin e «pragut», duke simbolizuar fillimin e diçkaje të re apo hyrjen në një kohë të bekuar.

Si praktikohet ky zakon?


Zgjidhet një trung i fortë dhe i gjatë, në mënyrë që të digjet gjatë gjithë natës. Buzmi shoqërohet me një ritual të veçantë: i zoti i shtëpisë qëndron brenda, ndërsa anëtarët e tjerë shkojnë për ta marrë buzmin nga oborri. Gjatë hyrjes, i zoti i shtëpisë pyet: «Me çka po vini?», ndërsa ata përgjigjen: «Me fat, me begati dhe me të gjitha të mirat». Më pas buzmi vendoset në zjarr. Gjatë ndezjes shpesh thuhet një lutje ose bekim. Familjarët qëndrojnë pranë vatrës, këndojnë këngë fetare e festive dhe ndajnë gëzimin e Krishtlindjes. Disa familje e ruajnë hirin e buzmit për të siguruar fat dhe begati gjatë vitit që vjen. Buzmi mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare, duke i dhënë festimit të Krishtlindjes një kuptim të thellë simbolik.

Kush ishte Shën Kolli (Shën Nikolla)?


Shën Kolli, i njohur edhe si Shën Nikolla i Myrës, ishte një ipeshkv i shekullit IV në Azinë e Vogël, i njohur për bamirësi, drejtësi dhe mrekulli. Besohet se ka lindur rreth vitit 270 pas Krishtit në qytetin Patara dhe ka vdekur më 6 dhjetor 343 në Myra (sot Demre, Turqi). Ai shërbeu si ipeshkv i Myrës dhe u bë i njohur për përkushtimin e tij ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, veçanërisht për ndihmën e fshehtë që u jepte njerëzve në vështirësi. Një nga tregimet më të njohura thotë se ai i dhuroi fshehurazi tre qese me ar një familjeje të varfër, për të shpëtuar tri vajzat e tyre nga skllavëria ose nga një jetë e pamoralshme.

Shën Nikolla konsiderohet mbrojtësi i fëmijëve, detarëve, tregtarëve dhe udhëtarëve. Shumë legjenda flasin për mrekulli që ai ka bërë për të shpëtuar njerëzit nga rreziqe të ndryshme. Festa e tij kremtohet më 6 dhjetor në shumë vende të botës dhe shpesh shoqërohet me dhurata për fëmijët. Në disa vende jo të krishtera ose në shtete me regjime komuniste, ku nuk festoheshin Krishtlindja dhe Shën Kolli, figura e tij u shndërrua në personazhin e njohur si «Babagjyshi», «Babadimri» apo «Plaku i Vitit të Ri», duke ruajtur elemente të ngjashme me Shën Kollin dhe traditën e dhuratave për fëmijët.

Besimtarët katolikë e festojnë vigjiljen e Krishtlindjes në mbrëmjen e 24
dhjetorit. Ku do të jeni ju për këtë festë – në Zvicër apo në Kosovë?

Për festën e Krishtlindjes, më 24 dhe 25 dhjetor, do të jem në Zvicër dhe do të jem në shërbim të kësaj feste. Më 25 dhjetor, pas shërbesave fetare, do të mblidhen tek unë të gjithë nipat dhe stërnipat me familjet e tyre dhe do ta festojmë së bashku lindjen e Krishtit. Për mua, ky takim familjar është shumë i rëndësishëm, sepse, të bashkuar si familje, kremtojmë këtë festë të shenjtë.

Cilat janë llojet e pemëve që përdoren për Krishtlindje? Sa pemë shiten dhe
cilat janë pemët më të larta e më të famshme në botë?


Për Krishtlindje përdoren zakonisht pemët halore, për shkak të formës së tyre të bukur dhe gjelbërimit të përhershëm. Ato janë tradicionale në shumë kultura dhe zbukurohen me drita, ornamente dhe yje në majë. Ndër pemët më të përdorura janë:

 Bredhi (Abies) – një nga zgjedhjet më të zakonshme për shkak të degëve të
dendura dhe aromës natyrale.
 Pisha (Pinus) – ka hala më të gjata dhe pamje më pak të dendur, por është
shumë e qëndrueshme.
 Selvia (Cupressus) – përdoret më rrallë, por është një alternativë në disa
zona.
 Bredhi norvegjez (Picea abies) – një pemë klasike evropiane për Krishtlindje.
 Bredhi Douglas (Pseudotsuga menziesii) – shumë i përhapur në SHBA për
aromën dhe pamjen e tij. Përveç pemëve natyrale, shumë njerëz zgjedhin edhe pemë artificiale, të cilat përdoren për vite me radhë. Zgjedhja varet nga preferencat personale, kultura dhe kushtet klimatike.


Përdorimi i dritave elektrike në pemën e Krishtlindjes u bë për herë të parë
nga Edward Johnson në vitin 1882. A është e saktë?


Po, ky është një informacion i saktë dhe shumë interesant. Edward H. Johnson, bashkëpunëtor i ngushtë i Thomas Edisonit, ishte i pari që përdori drita elektrike për të dekoruar një pemë të Krishtlindjes. Në vitin 1882, në shtëpinë e tij në New York, ai zbukuroi një bredh me rreth 80 llamba elektrike me ngjyra të kuqe, të bardha dhe blu, të lidhura në një qark elektrik. Kjo ndodhi vetëm pak vite pas shpikjes së llambës elektrike nga Edison (1879) dhe synonte promovimin e energjisë elektrike. Kjo ide ishte revolucionare, sepse deri atëherë pemët zbukuroheshin me qirinj, gjë që paraqiste rrezik të madh zjarri.

A është pema më e lartë e Krishtlindjes ajo e Vatikanit, në Sheshin e Shën Pjetrit?

Pema e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ndryshon çdo vit në lartësi, varësisht nga pema që dhurohet, zakonisht nga 25 deri në 30 metra. Ndër pemët më të famshme është edhe ajo e Rockefeller Center në New York, e cila varion zakonisht nga 21 deri në 30 metra dhe është simbol i festimeve që nga viti 1933.

Po ashtu, pema e Trafalgar Square në Londër ka një lartësi rreth 20–25 metra dhe dhurohet çdo vit nga Norvegjia, që nga viti 1947, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e Britanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pema më e lartë e Krishtlindjes e regjistruar ndonjëherë ka qenë një bredh Douglas, i zbukuruar në Seattle (SHBA) në vitin 1950, me një lartësi prej rreth 67 metrash.


Cilat janë lutjet më të bukura gjatë festës së Krishtlindjes?

Lutjet më të bukura për Krishtlindje janë lutjet për paqe dhe dashuri. Lindja e Krishtit na ka sjellë paqen, sepse Ai është burimi i paqes. Kush jeton sipas kësaj paqeje, bëhet edhe bartës i saj. Po ashtu, lutja për dashuri është thelbësore, sepse Krishti ka ardhur për të sjellë dashurinë hyjnore në botë. Kush jeton sipas kësaj dashurie, duhet ta përçojë atë tek të tjerët.

Lindja e Krishtit është një urë që lidh qiellin me tokën, që bashkon familjet, që afron nevojtarët dhe që sjell paqe e harmoni ndër njerëz. Krishtlindja fillon tek secili prej nesh, në atë masë sa i lejojmë Krishtit të lindë në jetën tonë, duke zbatuar vullnetin e Hyjit, i cili është dashuri. Nëse Krishti do të kishte lindur vetëm para dy mijë vjetësh dhe jo në zemrat tona sot, Krishtlindja do të ishte e pakuptimtë.


Krishtlindje, Kërshëndella apo Kshnellat?


Fjala Kërshëndellë është shumë e vjetër dhe gjendet që në librin e parë të gjuhës shqipe, në veprën e Gjon Buzukut: «mbas Kreshendellsh». Sipas studiuesve si Eqrem Çabej dhe Meyer, kjo fjalë rrjedh nga latinishtja Christi Natalia, që do të thotë “lindja e Krishtit”. Ndërsa Atë Gjergj Fishta e shpjegon këtë fjalë si shprehje shqipe: “Krisht këndellë”, pra këndellja apo përtëritja e gjithçkaje me ardhjen e Krishtit. Edhe fjala Krishtlindje e shpjegon qartë vetë domethënien e festës – lindjen e Krishtit.

Të dyja shprehjet janë të sakta dhe shumë domethënëse. Ajo që nuk është e saktë është përdorimi i shprehjeve “Krishtlindjet” ose “festat e fundvitit”. Krishtlindja është një lindje e vetme, jo shumë lindje, ndërsa shprehja “festat e fundvitit” shpesh përdoret për ta zbehur ose mohuar kuptimin e festës së Krishtlindjes.


Pse vendosen qirinj në dritare gjatë Krishtlindjes?


Qirinjtë vendosen në dritare për të simbolizuar besimin se Jezu Krishti është drita që ndriçon botën. Ata përfaqësojnë shpresën, ngrohtësinë dhe pritjen e Krishtit, duke krijuar një atmosferë mikpritëse dhe festive. Kjo traditë lidhet edhe me bekimin e shtëpisë dhe familjes, duke sjellë paqe dhe harmoni. Po ashtu, qirinjtë simbolizojnë yllin e Betlehemit, i cili, sipas Ungjillit të Mateut, udhëhoqi dijetarët drejt vendit ku lindi Jezu Krishti.


Çfarë kuptimi ka emri Nikolas?

Emri Nikolas vjen nga greqishtja e lashtë dhe përbëhet nga dy fjalë: Nike (fitore)
dhe Laos (popull). Domethënia e tij është “fitorja e popullit” ose “ai që sjell fitore
për njerëzit”.


Ushqimet tradicionale të Krishtlindjes


 Gjeli i detit – traditë që ka filluar në Angli në shekullin XVI dhe është
përhapur më pas në Evropë dhe SHBA. Simbolizon bollëkun dhe bashkimin
familjar.
 Proshuta e pjekur – simbol i begatisë në Evropën Veriore dhe një ushqim i
përshtatshëm për dimër.
 Ëmbëlsirat tradicionale – në vendet ballkanike dhe lindore përfaqësojnë
gëzimin dhe ngrohtësinë e festës.
 Peshku – në disa kultura katolike, sidomos në Itali, përgatitet për Natën e
Shenjtë si pjesë e traditës së “Shtatë Peshqve”.
 Zierja e grurit – gruri simbolizon pjellorinë, jetën dhe begatinë e ardhshme,
si dhe fuqinë e ringjalljes.


Si është bërë gështenja ikonë e Krishtlindjes?

Në shumë vende evropiane, gështenjat kanë qenë një ushqim bazë gjatë dimrit, për shkak të bollëkut dhe qëndrueshmërisë së tyre. Pjekja e gështenjave ofronte jo vetëm ushqim, por edhe ngrohtësi në ditët e ftohta të dimrit. Në Evropën mesjetare, gështenjat lidhen ngushtë me festat e Krishtlindjes, ku ushqimet tradicionale shërbenin për festim dhe për ndarje me të tjerët. Pjekja e gështenjave në zjarr simbolizonte ngrohtësinë dhe bashkimin familjar, vlera qendrore të Krishtlindjes. Si një ushqim i thjeshtë dhe natyral, gështenjat lidhen edhe me përulësinë dhe thjeshtësinë, cilësi që përputhen me mesazhin e Krishtit.


Shkëmbimi i dhuratave – pse bëhet ky zakon?


Shkëmbimi i dhuratave për Krishtlindje ka një kuptim të thellë shpirtëror dhe simbolik. Ai lidhet me lindjen e Krishtit – dhuratën më të madhe që Zoti i bëri njerëzimit, duke sjellë shpresë dhe shpëtim. Po ashtu, ky zakon frymëzohet nga rrëfimi biblik për tre dijetarët nga Lindja, të cilët sollën dhurata të çmuara – ar, temjan dhe mirrë – për foshnjën Jezus, si shenjë nderimi dhe adhurimi. Në një kuptim më të gjerë, dhuratat simbolizojnë dashurinë, bujarinë dhe kujdesin për të tjerët. Ato forcojnë lidhjet familjare, miqësore dhe komunitare. Përtej vlerës materiale, çdo dhuratë mbart një mesazh mirënjohjeje, falënderimi dhe bekimi. Ky zakon ka një dimension të dyfishtë: gëzimin njerëzor dhe thellësinë shpirtërore që na rikujton dashurinë e Zotit për botën.

A përmendet data 25 dhjetor në Bibël? – Historia e Krishtlindjes

Lindja e Jezu Krishtit festohet më 25 dhjetor, një datë që është përcaktuar zyrtarisht
në shekullin IV. Deri në atë kohë, festimet e krishtera ishin të ndaluara. Me Ediktin e Milanos, në vitin 313 pas Krishtit, Perandori Konstantini i Madh garantoi lirinë fetare, duke hapur rrugën për kremtimin publik të Krishtlindjes. Bibla nuk synon të jetë një libër historik në kuptimin modern të fjalës, me data dhe kronologji të sakta. Ajo është mbi të gjitha një libër shpirtëror, që transmeton të vërteta të thella për marrëdhënien e Zotit me njerëzimin, shpëtimin dhe dashurinë hyjnore. Për këtë arsye, data 25 dhjetor nuk përmendet në Bibël. Përshkrimi i lindjes së Jezusit, i vendosur në një kontekst historik me Cezar Augustin, Kuirinin dhe Herodin, synon të tregojë se Zoti hyri në historinë njerëzore në një kohë konkrete për të sjellë paqe dhe shpëtim.


Çfarë është Ylli i Betlehemit?


Ylli i Betlehemit është një shenjë hyjnore me kuptim të thellë shpirtëror dhe simbolik në krishterim. Ai përmendet në Ungjillin sipas Mateut (2, 1–12), ku tregohet se dijetarët nga Lindja u udhëhoqën nga ylli për të gjetur Jezusin. Ylli shihet si një akt ndërhyrjeje hyjnore, përmes së cilës Zoti përdor një shenjë qiellore për të zbuluar ardhjen e Mesisë. Ai simbolizon dritën e Krishtit që ndriçon errësirën shpirtërore të botës. Jezusi vetë thotë: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës» (Gjn 8,12). Ylli i Betlehemit shpreh gjithashtu universalitetin e shpëtimit, sepse dijetarët përfaqësojnë të gjitha kombet që kërkojnë dhe adhurojnë Krishtin. Astronomi gjerman Johannes Kepler (1571–1630) sugjeroi se ylli mund të ketë qenë një
konjuksion i rrallë i planetëve Jupiter dhe Saturn.

Pse disa e festojnë Krishtlindjen më 7 janar?


Disa kisha ortodokse e festojnë Krishtlindjen më 7 janar, sepse ndjekin kalendarin Julian, i cili është rreth 13 ditë pas kalendarit Gregorian. Kalendari Julian, i krijuar nga Juli Cezari në vitin 45 para Krishtit, kishte një pasaktësi të vogël në llogaritjen e vitit diellor. Në vitin 1582, Papa Gregori XIII reformoi kalendarin për të korrigjuar këtë gabim, duke krijuar kalendarin Gregorian, i cili u adoptua nga shumica e vendeve perëndimore. Megjithatë, disa kisha ortodokse vazhdojnë të përdorin kalendarin Julian për festat fetare.


Çfarë gjuhe fliste Jezusi?


Jezusi fliste kryesisht aramaishten, e cila ishte gjuha e përditshme e popullit hebre në atë kohë. Ai njihte gjithashtu hebraishten, e përdorur në Shkrimet e Shenjta dhe në kontekstet liturgjike, si dhe ka gjasa të ketë pasur njohuri edhe të greqishtes së thjeshtë.


Urim për Krishtlindje


Në këtë periudhë sfidash dhe pasigurish, Krishtlindja na fton të rikthehemi te vlerat themelore të jetës: dashuria, solidariteti dhe shpresa. Le të jemi burim paqeje, ngrohtësie dhe mirëkuptimi për njëri-tjetrin. Po e mbyll këtë udhëtim të Krishtlindjes me një tekst të bukur e të thellë shpirtëror të Marisa Roos:


“Nëse je ngopur duke soditur Fëmijën e dritës në grazhd,
mos u largo ende.
Qëndro pak më gjatë.
Lejo që sytë e Tij të bëhen sytë e tu,
që veshët e Tij të dëgjojnë përmes teje,
që fjala e Tij të marrë zë në gojën tënde.
Lejo që duart e Tij të prekin përmes duarve të tua,
që buzëqeshja e Tij të ndizet në buzëqeshjen tënde,
që paqja e Tij të shpërndahet në çdo përshëndetje.
Atëherë, në fytyrën e çdo njeriu
do të njohësh një vëlla, një motër.
Nëse ua fshin lotët dhe ua ndan gëzimet,
atëherë Biri i Hyjit me të vërtetë ka lindur,
dhe Krishtlindja ka ndodhur brenda teje.”
(Marisa Roos)
Gëzuar Krishtlindjen!
Le të bëhemi dritë për njëri-tjetrin,
burim shprese, paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi
në çdo hap të jetës sonë.
Ëndrra e Hyjit
Hyji pa një ëndërr.
Ai ëndërroi botën dhe e krijoi.
Hyji krijoi qiellin dhe tokën,
lulet dhe bimët, drunjtë dhe livadhet,
malet dhe kodrat, lumenjtë dhe detin,
peshqit dhe zogjtë, insektet dhe të gjitha qeniet e gjalla.
Por në ëndrrën e Tij i mungonte edhe diçka tjetër.
Ai ëndërroi njeriun
dhe e krijoi sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit të Vet.
E krijoi njeriun si mashkull dhe femër.
Por njeriu e errësoi
përngjasimin hyjnor që Hyji i kishte dhuruar.

Ai u largua nga Hyji, por jo vetëm nga Hyji –
u largua edhe nga vetvetja.
Kështu u nda nga prejardhja e tij.
Njeriu nuk mund të qëndronte më para Hyjit;
u fsheh prej Tij dhe u mbyll në vetvete.
Ai i mbylli dyert e zemrës së tij
dhe nuk lejoi që Hyji të hynte në brendinë e tij.
Njeriu nuk e prishi miqësinë vetëm me Hyjin,
por u kthye edhe kundër vetvetes,
kundër vëllezërve dhe motrave të tij.
Ai e humbi rrugën dhe u ngatërrua në imtësinë e gënjeshtrave të veta.
Atëherë Hyji ëndërroi një ëndërr të re.
Ai e ëndërroi përsëri njeriun ashtu siç e kishte menduar që në fillim.
Dhe ëndrrën e Tij e realizoi duke filluar sërish nga e para.
Ai lejoi që Biri i Tij i vetëm të bëhej njeri.
“Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm –
që është Hyj, një natyre me Atin – Ai e bëri të njohur” (Gjn 1,18).
Ai u mishërua për ta rikthyer figurën e vërtetë të njeriut.
Për t’i udhëhequr dhe mësuar njerëzit se si duhet të jetojnë,
nëse dëshirojnë të jenë në bashkësi me Hyjin.
Për t’i përkujtuar burimin hyjnor,
esencën hyjnore që ende e bartin në vete,
por që është errësuar nga mëkati.
Në Krishtlindje,
ne festojmë ëndrrën e Hyjit të bërë të dukshme në Jezu Krishtin.
Ne kremtojmë njeriun, qenien e tij të pastër,
të ndriçuar dhe të ripërtërirë në Jezu Krishtin.
(Anselm Grün)

Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme