POSTIMET E FUNDIT

Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…

Nga Prend Ndoja

Ka pasë shkruar një mirditor i madh, me origjinë nga Domgjoni i Fanit, Poeti Kombëtar, At Gjergj Fishta:

Vërtet kemi Bajram e Pashkë,

Por Shqipninë e kemi bashkë.

Me këto vargje prifti patriot e poet dëshmonte jo vetëm përparësinë e atdheut mbi çdo gjë, por edhe bashkëjetesën e harmonishme midis besimeve fetare ndër shqiptarë. Një traditë të tillë kombëtare dhe fetare e vazhduan edhe shumë misionarë të tjerë të besimit katolik, ndër ta ishte edhe prifti, Dom Kelmend Spaqi, që sot është ndarë nga jeta. Dom Kelmendi ishte një misionar i devotshëm, me origjinë nga Spaçi i Mirditës, i cili e kryente me besim e përkushtim detyrën e tij, gjithnjë në shërbim të popullit dhe të ruajtjes së traditave më të mira të kombit dhe të kishës katolike. Edhe për këtë prift me ndjenja të thella atdhetare e humane, besimtarët myslimanë e katolikë ishin vëllezër, ishin përpara së gjithash shqiptarë.

Këtë e dëshmon edhe një episod që ai e ka treguar vetë e që e kanë dëshmuar sa e sa besimtarë të Gllogjanit e të fshatrave përreth. Dom Kelmendi tregonte: Ishte data 4 prill i vitit 1999, koha e luftës së fundit në Kosovë, kur serbët mundoheshin ta zhduknin e ta zhbënin racën arbërore. Paramilitarët kishin marrë 12 burra dhe i shtynin me pushkë që t’i çonin tek vendi i pushkatimit. Dom Kelmendi shkoi drejt tyre e u doli përpara. “Nuk e di se si e gjeta forcën e guximin, – tregonte ai, – dhe ia mora serbit automatikun duke i thënë: Ti s’ke zemër me i vra. Ose do më vrisni edhe mua, ose asnjë”. Ata e panë sa i vendosur ishte, i lanë 12 burrat të ktheheshin në kishë dhe i thanë priftit: Ti dhe besimtarët e tu rrini në kishë. Myslimanët na i jep ne, e dimë ne se çka bëjmë me ta.

Në kishë ishin strehuar qindra besimtarë myslimanë e katolikë, burra, gra, fëmijë, të plagosur e të lodhur nga lufta. Pranë tyre ishin motrat e nderit, që u shërbenin me përkushtim. Por përgjigjja e priftit qe e prerë: Kurrën e kurrës. Këtu nuk ka as katolikë e as myslimanë. Ka shqiptarë, të gjithë njerëz të pafajshëm. Pushkatomëni së pari mua e motrat shërbyese të Zotit. Vetëm pasi të kaloni mbi trupat tanë mund t’i prekni ata.

Por nuk është vetëm ky episod që tregon integritetin atdhetar e fetar të këtij misionari të shenjtë. Traditën shqiptare dhe dashurinë për vëllezërit myslimanë ai e kishte treguar edhe në një rast tjetër, në muajin e Ramazanit. Njerëzit, të lodhur e të çorientuar nga lufta, e kishin humbur orarin kur duhej të bënin faljen sipas ritit mysliman. Aq më tepër që afër fshatit Gllogjan nuk kishte xhami. Dom Kelmendi u interesua dhe siguroi oraret e sakta të faljeve. Dhe kur vinte ora e faljes së iftarit dhe syfyrit, ai i binte me përpikmëri këmbanës së kishës, duke i njoftuar besimtarët se tani ishte ora e saktë. Me këtë gjest, sa fetar aq njerëzor, ai u thoshte vëllezërve të besimit tjetër: “Nuk jeni vetëm”.

Mbrojtja që iu bënte Dom Kelmendi besimtarëve myslimanë dhe kundërshtimi që u bëri serbëve duke mos i lënë të hynin në kishë, i tërboi forcat serbe. Ata e dinin mirë se po të vrisnin priftin dhe motrat që shërbenin në kishë, do të bënin jehonë në opinionin ndërkombëtar, sidomos tek Amerika dhe NATO-ja. Ndaj u tërhoqën. E keqtrajtuan priftin, por ai u rezistoi, duke treguar që përpara popullit nuk i dhimbsej jeta e tij, se i bindej vetëm misionit të tij të shenjtë dhe ndërgjegjes së tij shqiptare.

Qëndrimi i tij stoik na kujton Dom Luigj Palajn dhe plot martirë të tjerë të kishës katolike, që nuk u trembën edhe kur jeta e tyre ishte në fije të perit.

Nesër mbrëma Dom Kelmend Spaqi do të bënte ritin e Udhës së Kryqit, udhës së kalvarit të Krishtit, që e çonin drejt kryqëzimit. Kurse të dielën do të festonte tok me besimtarët Pashkën e ringjalljes së Krishtit. Por zemra e tij pushoi dhe shpirti i tij mori udhën e amëshimit pikërisht në këto ditë festash për të mbetur gjithnjë i paharruar në kujtesën e besimtarëve të tij dhe të popullit shqiptar të zonës ku jetoi e shërbeu me devotshmëri e atdhetarizëm. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB