4.3 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Doktori arbëresh që ka mësuar historinë e Çamërisë nga Antonio Belushi

Duhet ti lexosh

/ Arben Iliazi/

Në qytezën e Poggibonsit në  rajonin e Toskanës, gjatë  një aktiviteti të   Fondacionit Camëria “Hasan Tahsini”, ku isha i ftuar, u takova edhe me një doktor Arbëresh, mjaft të njohur në atë rajon, i cili kishte ardhur, së  bashku me zonjën e tij shqiptare, me origjinë nga Dibra, doktoren okuliste Gentiana Haka. Doktor Battista La Rocca, mjek patolog në  spitalin e Sienës dhe me banim në  Siena, është  lindur në  vitin 1974  në  Frasnita (Frascineto), një nga katundet më të bukur arbëreshë, që  ndodhet në krahinën e Kozencës (Kalabri). Në  këtë  komunë prej  2208 banorësh spikat mikpritja tradicionale shqiptare dhe prej shekujsh trashëgohen gjuha, traditat, zakonet, veshjet, ritet fetare dhe kultura e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Që në  fjalët e para që  shkëmbyem, dukej qartë  se doktori kishte një  adhurim të  vecantë  për Shqipërinë, Skënderbeun, kulturën shqiptare. Madje ishte plotësisht i informuar edhe për cështjet kombëtare, që  lidhen me Kosovën, Çamërinë  e vise të  tjera. Të parët e fisit të  tij ka mundësi të  kenë  ekziluar në  Itali pas vdekjes së  Skënderbeut. Doktori më  habiti me bagazhin dhe njohuritë  e tij. Me një  shqipe të  përsosur biseduam gjerë  e gjatë . Përmendi Frang Bardhin, Budin, Bogdanin, Pjetër Mazrekun, të  cilët kishin studiuar në  Kolegjin e Loretos, ose ndryshe Kolegji Ilirik. Madje më  foli edhe për poetin e parë  shqiptar, Lekë  Matrënga, i cili mendohej se ishte me prejardhje nga Çamëria.

Dr. Battista e mbante mend mirë datën 16 qershor 2021, kur kryetari i Bashkisë, Domenico Lo Polito, lëshoi  autorizimin  për vendosjen e Bustit të Gjergj Kastrioti Skenderbe në qytezën antike të  Kastrovillarit, 3 km larg nga fshati i tij, Frasnita. Kastrovillari, i vendosur në shpatet e Pollinos, i përket krahinës së Kalabrisë. Mendohet se arbëreshët mbërritën këtu në  vitin 1480. Pa skulpturën e legjendës së tyre, Gjergj  Kastrioti Skënderbe,  kjo provincë nuk do të kishte shprirtin arbëror! “Vendosja e bustit të  Skënderbeut përfaqëson një shenjë tjetër se italianët janë  një komunitet që njohin vlerën dhe pasurinë e shumësisë së popujve, ideve, gjuhëve dhe kulturave. Kultura arbëreshe gjithashtu ka kontribuar historikisht në rritjen e territorit tonë dhe Kastrovillari ka aq shumë bashkëqytetarë me origjinë shqiptare, sa përfaqëson një nga komunitetet më të mëdha.

Kastrovillarin dhe popullin Arbëresh, prej shekujsh, i bashkoi edhe ideali për një Itali të pavarur, të bashkuar dhe prosperuar, morën pjesë në revoltën  në Unifikimin e Italisë, (1860). Ishte pikërisht, biri i Kastrovillarit  Giuseppe Pace, që mbërriti triumfalisht në Kastrovillari, së bashku me vëllezërit arbëreshë. (Arbëreshët dhanë ndihmesën e tyre, konkrete, një shembull i paparë, ku Garibaldit që i cmoi si Luanë, “këmish kuqët” arbëror. Busti i Skënderbeut është një trashëgimi e përbashkët dhe dëshmon se së bashku kemi bërë një rrugë të gjatë. Figura e Gjergj Kastriotit është një figurë dimensionale. Figurë historike, një figurë që gjatë shekujve, që  është akoma gjallë në botën arbëreshe”, thotë dr. Battista për “Diellin”.

Në Frasnita (Frascineto), është  edhe një  shesh, i emërtuar Sheshi “Kosova”, si dhe biblioteka e At Antonio Belushit. “Jemi rritur me bekimin e At Antonios – thotë doktori, i mallëngjyer nga ikja e tij në parajsë një vit më parë. Nga ai kam mësuar edhe historinë e Çamërisë. Kishte shumë lidhje me arvanitët e çamët në Greqi. Shtëpia e Antonio Belushit tani është  më shumë se një shtëpi. Është  muze etnografik, është  arkiv, mbi të gjitha është  bibliotekë e pasur me libra e gazeta të ruajtura prej shumë viteve. Biblioteka e At Antonio Belushit të kujton më shumë arkivat e njohura, sesa thjesht një bibliotekë. Mahnitesh me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi e respekt, thotë i emocionuar doktori Arbëresh.

– Po një Shesh “Çamëria” do të ketë ? e pyes.

-Patjetër, thotë, Kosova dhe Çamëria janë amanet brezash.

Duke vijuar bisedën, doktor Battista më  tregoi se Frasnita (Frascineto) ka simbol të gdhendur në kulturën arbëreshe të komunitetit “Valljen”, aq sa edhe Frasnita quhet ndryshe si “katundi i vallevet”. “Vallja” përjetohet si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin dhe rrënjët historike të arbëreshëve të ruajtura me dashuri dhe përkushtim për më shumë se 500 vjet. Ajo konsiston në një vallëzim në grup, ku gratë e burrat të veshur me kostumet tradicionale madhështore arbëreshe të kapur përmes shamive të bardha kërcejnë nën tingujt emocionues të këngëve me motive dashurie dhe epike ku i këndohet fitoreve dhe arritjeve të heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në  aktivitetet kulturore në  Frasnita janë  të  pranishme edhe  “Lojërat për nder të Gjergj Katrioti Skënderbeut”, që  zhvillohen cdo vit në qendrën historike, ku është  ngritur edhe Muzeu Komunal i kostumeve Arbëreshe. Gjatë momenteve të lojërave, rrugët dhe sheshet e pjesës historike stolisen, duke krijuar një atmosferë magjike dhe magjepsëse të traditave kombëtare.

Në Frasnita, në vitin 2014, është krijuar një shoqatë kulturore dhe turistike nga arbëreshët, e quajtur “Vorea”, rrëfen më tej Dr. Batista për gazetën “Dielli”.  Kjo shoqatë  lindi pikërisht me synimin për të ofruar ndihmesën e saj për ruajtjen, promovimin, shpërndarjen e mundësimin e  njohjes  kudo të gjuhës arbëreshe, të traditave, të riteve të tyre përkatëse fetare, të kulturës, muzikës,  letërsisë, përrallave, legjendave  tona të lashta e të përbashkëta, të kuzhinës dhe gatimeve tradicionale, si dhe çdo aspekt tjetër identiteti,.

– Përse ky emërtim? e pyes, duke sjellë  në  mendje poetin e shquar, emrin e të  cilit e mbaja mend mirë  qysh nga koha e studimeve në  Fakultetin e Filologjisë  në  Tiranë .

– Në  nder të  poetit të  famshëm, më  përgjigjet dr. Battista. – Poeti me origjinë  shqiptare, Vorea Ujko, lindi në fshatin Frasnita (Frascineto), Kalabri, më 1918 (ka shkrime ku thuhet se ka lindur edhe më 1931); vdiq në një aksidenti automobilistik më 26 janar 1989. Vorea, pos që ka qënë prift, ka studiuar edhe për letërsi dhe si i tillë ka punuar mësues i letërsisë në Firmo, shpjegon Dr. Battista. Ai, ashtu si edhe poetët e rinj arbëreshë, kanë  bë rë  e bëjnë përpjekje që, pos kultivimit të gjuhës së tyre shqipe, që e kanë ruajtë brez pas brezi, e që paraqet një brum të mirë studimi të gjuhëtarëve, t’i afrohen gjuhës së sotme shqipe. Kjo mundësi tashmë është mundësuar, sepse ekziston liria e lëvizjës, por edhe kanë qasje në programe të ndryshme të mediave elektronike, por edhe të gazetave. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re ndjenja e fortë e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit. Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë.

Cilat janë  disa nga veprimtaritë  e shoqatës “Vorea”? – e pyes dr. Battistën.

-Shoqatës” Vorea” zhvillon shumë  veprimtari teatrore në gjuhën arbëreshe, duke sjellë përfshirjen e shumë personave (të rritur, të rinj e fëmijë) dhe gjithashtu, të territorit,  me shprehje gjuhësore, pamje dhe tradita nga bota arbëreshe, me synimin për t’iu shmangur humnerës së harresës gjuhësore.

Çdo vit edhe Krishtlindjet arbëreshe kremtohen si festa madhështore ndër arbëreshët e Kalabrisë, që manifestohet përmes riteve, traditës dhe shijes e gatimeve arbëreshe, thotë  dr. Batista në  mbyllje të  bisedës. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e ri, miku im Battista la Rocca! (gazetadielli)

 

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit