POSTIMET E FUNDIT

Dita Ndërkombëtare e Gruas: Hapet në Nju Jork instalacioni “Mendoj për Ty”

Nga Beqir SINA, SHBA

Fustanet e heshtura flasin për drejtësi!

Nju Jork, 8 mars 2026 – Dag Hammarskjöld Plaza, porta e hyrjes drejt selisë së Kombeve të Bashkuara, u mbush dje me një pamje që bënte thirrje për drejtësi, dinjitet dhe solidaritet me rreth qindra gjesende nga që përfaqësojnë 20 mijë gratë dhe burrat e Kosovës të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës.

Rreshta të gjata telash lavanderie, të shtrirë mes pemëve dhe hapësirës së gjerë të sheshit, mbanin të varur qindra fustane e rroba femrash – nga të bardha të thjeshta deri te ato me ngjyra të ndezura. Disa ishin të qepura me kujdes, të tjera të dhuruar si shenjë mbështetjeje. Mes tyre spikaste edhe një jelek ushtarak me simbolin e UÇK-së, dhuruar nga mbijetuari i luftës Ramadan Nishori.

Ky është instalacioni artistik më i madh i këtij lloji që është zhvilluar në Nju Jork. 

“Thinking of You” i artistes konceptuale kosovare Alketa Xhafa Mripa u hap zyrtarisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, pas sesionit të 70-të të Komisionit të OKB-së për Statusin e Gruas (CSW70).

Të pranishëm ishin dhjetëra aktivistë, mbijetues të dhunës seksuale, diplomatë, artistë dhe qytetarë të cilët qëndronin në heshtje të thellë përballë kësaj “lavanderie publike”. Kurse, çdo fustan përfaqëson një histori të pathënë, një jetë të prekur nga dhuna seksuale në konflikt me rreth 20 mijë gra e vajza kosovare të dhunuara gjatë luftës 1998–1999, si dhe dhjetëra mijëra gra, vajza e burra në Bosnjë.

Image

Foto nga vendi i ngjarjes

Këto shifra nuk janë thjesht statistika ngase ato janë plagë të hapura që artistja nga Kosova  i sjell në dritën e diellit për të thyer heshtjen dhe stigmat në Nju Jork.

Në mesdrekë, kur ceremonia e hapjes nisi, era e lehtë e marsit i bënte fustanet të valëviteshin si flamuj paqësie dhe kujtese. 

Alketa Xhafa Mripa, duke përmendur organizatorët dhe mbështetësit, u shpreh:

“Secili prej këtyre fustaneve përfaqëson një qenie njerëzore me një histori dhimbjeje, dinjiteti të mbrojtur dhe drejtësie të vonuar. Unë e vendosa ‘Thinking of You’ këtu si ofertë dhe kujtesë, paqja nuk mund të ekzistojë pa njohjen e plotë të përvojës së të mbijetuarve dhe përgjegjësia fillon me pranimin.”

Image

Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasadori Blerim Reka theksoi:

“Më shumë se 20 mijë gra e burra shqiptarë të Kosovës u përdhunuan nga ushtria dhe policia serbe – dhe askush nuk u ndëshkua. ‘Thinking of You’ është një kujtesë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku Serbia kreu gjenocid kundër shqiptarëve. Drejtësia ndërkombëtare mbetet e heshtur, por drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar” tha ai.

Në aktivitet folën gjithashtu:

•  Aissata Camara, Komisionere e Zyrës së Kryetarit të Bashkisë së NYC-së për Çështjet Ndërkombëtare.

•  Tessa Dikker, zëdhënëse në Misionin e Mbretërisë së Holandës në OKB

•  Ambasadorja Suela Janina, Përfaqësuese e Përhershme e Shqipërisë në OKB

Djellza Pulatani, presidente e shoqatës F’ODA

•  Vasfie Krasniqi Goodman, e dërguara e posaçme e Presidentes së Kosovës dhe vetë e mbijetuar e dhunës seksuale

•  Ramadan Nishori, ish-luftëtar i UÇK-së

•  Tatiana Mukanire, e mbijetuar nga Republika Demokratike e Kongos

Djellza Pulatani shkroi në Facebook:

“Jam thellësisht mirënjohëse që kam qenë pjesë e një pune kaq kuptimplote. Alketa është një pioniere e guximshme që ka përdorur artin për të krijuar hapësirë për kujtesë, dinjitet dhe të vërtetë. Për Kosovën dhe komunitetin shqiptar, ky moment është thellësisht domethënës – një shans për të qëndruar së bashku dhe për të treguar se komuniteti ynë vazhdon të udhëheqë në avokimin global për të mbijetuarit.”

Instalacioni u krijua fillimisht në Prishtinë në vitin 2015, kur një stadium futbolli u mbush me mijëra fustane e funde të dhuruar në solidaritet me viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit të 1998–1999. 

Të gjitha rrobat janë dhuruar nga të mbijetuar, si dhe nga figura të njohura publike, si stilistja Diane von Furstenberg, feministe Gisèle Picot, laureati i Nobelit Denis Mukwege dhe ambasadori i UNICEF Martin Bell – duke theksuar solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët.

Vendndodhja në Dag Hammarskjöld Plaza duket se nuk është e rastësishme, pasi ajo tani po qëndron në pragun mes jetës së përditshme të qytetit dhe fuqisë ndërkombëtare të OKB-së, pikërisht aty ku politikat, drejtësia dhe ndërgjegjja publike takohen çdo ditë.

Sipas statistikave të OKB-së të publikuara në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gati 1 në 3 gra në botë përjeton dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës, por vetëm 2% e autorëve përfundojnë pas hekurave.

Ndërsa fjalimet përfunduan, nëpër shesh u zhvillua një marsh solidariteti, ku gra e vajza të kapura dorë për dorë, nën fustanet që valëviteshin mbi kokat e tyre si kujtesë e gjallë se arti mund të shërojë plagë, të bashkojë dhe të kërkojë llogari.

Në krye të marshit ecnin artistja Alketa Xhafa Mripa, Aissata Camara, Tessa Dikker, përfaqësues të Misionit të Kosovës, Ambasador Blerim Reka, Ambasadorja Suela Janina, Djellza Pulatani, Vasfie Krasniqi Goodman, Vera Mjeku, Ramadan Nishori, Tatiana Mukanire e të tjerë.

“Thinking of You” qëndron i hapur deri më 20 mars në Sheshin Dag Hammarskjöld, pranë selisë së Kombeve të Bashkuara.

Më pas ai ka për të udhëtuar në Hagë, Strasburg dhe tani në Nju Jork – me plane për të vazhduar në Oslo./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB